Masat kundër terrorizmit, Franca kërkon më shumë angazhim nga të gjitha vendet

20/11/2015 00:00

Është koha, që vendet europiane të zgjohen përballë kërcënimit terrorist, të organizohen e të mbrojnë veten, u shpreh ministri i Brendshëm francez, Bernard Cazeneuve, pasi u bë e qartë se truri i sulmeve të Parisit, belgu me origjinë marokene Abdelhamid Abaaoud kishte hyrë pa vështirësi në Francë.

Autoritetet franceze, sipas tij, nuk kanë marrë asnjë paralajmërim nga shtetet e tjera europiane për mbërritjen e këtij eksponenti të rëndësishëm të ISIS-it në kontinentin e vjetër.

Informacionet se, Abaaoud kishte kaluar nëpërmjet Greqisë gjatë kthimit të tij nga Siria, Franca i mori vetëm 3 ditë pas sulmeve të Parisit nga shërbimet inteligjente të një shteti joeuropian. Një prej atentatorëve, që hodhën veten në erë në kryeqytetin francez një javë më parë ishte regjistruar në Greqi si emigrant.

Për kryeministrin Manuel Valls, një pjesë e personave të përfshirë në episodet e dhunës që tronditën Francën e mbarë botën kanë përfituar nga kriza e emigracionit në Europë për t’u rrëshqitur kontrolleve – siç tha ai, – e për të hyrë në Francë krejtësisht të padiktuar.

Parlamenti francez vendosi të enjten zgjatjen e gjendjes së jashtëzakonshme edhe me 3 muaj të tjerë, ndërsa pak orë përpara vendimit të tij u konfirmua zyrtarisht se, një prej personave të vrarë gjatë blicit policor ishte pikërisht truri i sulmeve të përgjakshme, që lanë 129 të vdekur, Abdelhamid Abaaoud.

Në përgjigje të ngjarjes së rëndë, ministrat e Brendshëm të Bashkimit Europian janë duke diskutuar forcimin e kufijve të jashtëm të zonës së “Schengen”-it. Parisi zyrtar kërkon që të gjithë qytetarët e BE-së të jenë subjekt kontrollesh në kufi, ashtu si dhe udhëtarët që nuk vijnë nga vendet e bllokut europian, ndërsa këmbëngul edhe në lehtësimin e aksesit te të dhënat e linjave ajrore.

Në projektrezolutën e takimit të tyre të sotëm thuhet se, ministrat do të pajtohen me implementimin e “verifikimeve sistematike e të koordinuara në kufijtë e jashtëm të bllokut, përfshirë këtu edhe individët që gëzojnë të drejtën e lëvizjes së lirë”, çfarë nënkupton kontroll të pasaportave duke i verifikuar me bazën e të dhënave, të atyre që njihen apo dyshohen si terroristë, apo dhe personave të përfshirë në krimin e organizuar.

Ministrat do të diskutojnë gjithashtu për masa energjike kundër spostimit të armëve të zjarrit brenda Europës, grumbullimin e të dhënave për pasagjerët e fluturimeve të brendshme, si dhe bllokimin e fondeve të terroristëve.

Në këtë situatë të rënduar mbërrin dhe paralajmërimi i shefit të inteligjencës gjermane, Hans-Georg Maassen, mbi rrezikun e një lufte botërore me në sfond terrorizmin, ndërsa shtoi se çdo shteti tjetër të Europës i duhet të prezumojë, që ajo që ndodhi në Paris mund të ndodhe nga çasti në çast edhe diku tjetër.

Top Channel