BQE, Draghi: Nuk do të hezitojmë të zgjerojmë stimujt financiarë

20/11/2015 00:00

Kreu i Bankës Qendrore Europiane, Mario Draghi ka thënë se, autoriteti kryesor për çështjet monetare në Eurozonë “nuk do të hezitojë” të zgjerojë programin stimulues në takimin e ardhshëm, nëse një gjë e tillë do të jetë e nevojshme për të mbështetur ekonominë.

Fjalimi i Draghit në Frankfurt, gjatë kësaj të premteje, përforcoi deklaratat e mëhershme të tij duke u konsideruar nga bursat si “dritë jeshile” për veprim gjatë takimit të 3 dhjetorit.

Ai deklaroi se BQE duhet të vlerësojë dy panorama: nëse situata lihet në forcat aktuale, a do të jetë e mundshme që ekonomia të arrijë trajektoren e vetëmbështetjes? E nëse jo, atëherë do të duhen më shumë stimuj monetarë.

Banka Qendrore Europiane mund të rrisë programin aktual prej 1,1 trilionë eurosh (bilion-BE) të blerjes së bonove, gjë që injekton parà të reja në ekonomi. Ajo mund të ulë gjithashtu edhe normën e interesit të parave të depozituara nga bankat në një terren edhe më negativ, lëvizje e cila me të gjitha gjasat do t’i nxisë bankat të japin më shumë hua ndaj klientëve. Norma aktuale është në -0.2 për qind.

Draghi argumentoi se stimujt aktualë kanë pasur një efekt tepër të fortë në mbështetjen e ekonomisë, e cila gjatë këtij viti është rritur gradualisht. Sipas tij, përpjekjet e BQE-së kanë qenë të fokusuar në uljen e normës së huamarrjes për kompanitë dhe rritjen e aksesit të tyre për të kërkuar kredi, të cilat mund t’i duan për të bërë biznes apo për të zgjeruar biznesin.

Çmimet e ulëta të naftës janë duke ndihmuar gjithashtu kërkesën, duke lënë më shumë parà në xhepat e konsumatorëve. 19 vendet që përdorin monedhën e përbashkët europiane, Euro, kanë parë së fundi një rritje të aktivitetit ekonomik prej 0.3 për qind në tremujorin e tretë, krahasuar me tremujorin e mëparshëm. Gjithesesi, kjo është më e paktë nga sa pritej, ndërkohë që norma e papunësisë mbetet ende e lartë në 10,8 për qind.

Rikuperimi modest po përballet me problemet e ngadalësimit ekonomik në tregjet e reja, paralajmëroi Draghi, i cili shtoi se rritja e deritanishme ende nuk ka çuar në një përmirësim të inflacionit të dobët, që me normën aktuale vjetore prej 0,1 për qind mbetet shumë larg objektivit të BQE-së prej më pak se 2 për qind.

Top Channel