Barça heq tensionin para “El Clasico”-s me “FIFA16”

20/11/2015 00:00

Kush ka menduar se, te Barcelona janë plotësisht të fokusuar te sfida e “Santiago Bernabeu”-t me Realin e Madridit, gabohet rëndë.

Në të vërtetë, lojtarët e kësaj skuadre menduan që, të paktën për një moment, të largojnë tensionet që shkakton “El Clasico” me rivalët e përjetshëm madrilenë, duke marrë pjesë në turneun e lojës “FIFA16”, një videogame.

Ishin 6 futbollistë të Barcelonës, që zhvilluan një sfidë mes tyre. Nga njëra anë ishte skuadra e përbërë nga Claudio Bravo, Dani Alves dhe Arda Turan, që kishin veshur uniformën e parë të skuadrës, ndërsa në krahun tjetër ishte ekipi i Ter Stegen, Jordi Albas dhe Neymar, të veshur me uniformën që Barcelona përdor zakonisht kur luan në transfertë.

Humori dhe batutat nuk munguan mes futbollistëve, ndërsa ata ishin duke zhvilluar këtë ndeshje virtuale, e dominuar nga skuadra e Neymar, Albas dhe Ter Stegenit, të cilët fituan pastër 4-0.

“Fituam 4-0 dhe e kontrolluam ndeshjen. Ishte shumë e lehtë”, tha Neymar, si për të ngacmuar bashkëkombasin e tij Dani Alves. Ky i fundit nuk ngurroi t’i kundërpërgjigjej duke theksuar se “prisnim një ndeshje të lehtë, por në fund ata patën fat dhe fituan”.

Tani, kampionët e Spanjës i pret beteja e vërtetë futbollistike në “Bernabeu”, me Realin, ku ata do të kërkojnë të marrin një fitore për të lënë 6 pikë prapa ekipin e “Los Blancos”.

Top Channel