PD: Tendera pa garë në shëndetësi. Nushi, e vetmja fituese në dy vite

20/11/2015 00:00

Në një tjetër dalje për mediat nga selia e Partisë Demokratike, sekretarja për Marrëdhëniet me Publikun, Grida Duma ka përvijuar denoncimet e forcës kryesore në opozitë për ato që i konsideron si afera të ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj, me tenderat. Por këtë herë, në këto afera është bashkëngjitur edhe emri i Vilma Nushit.

“Këto dokumente që peshojnë me kilogramë janë sëmundja e vërtetë e shëndetësisë sonë. Janë milionat që Ilir Beqaj i ka dhënë Vilma Nushit për blerje ilaçesh, parà që pasurojnë shoqen e Partisë Socialiste”, ka thënë Grida Duma.

Sipas saj, prej dy vitesh ministri i Shëndetësisë shpall fituese nëpër tendera kompaninë “Trimed”, firma e drejtuar prej Nushit, e cila ka fituar pafundësisht tendera në ministri, në spitale, në Tiranë apo edhe nëpër rrethe. “Shuma e përfituar është mbi 2 mln e 100 mijë euro, një pjesë e mirë e të cilave janë marrë pa tendera por me negociim”, është shprehur Duma.

Miken e Edi Ramës, siç e quajti Grida Duma, sekretarja e PD-së për Marrëdhëniet me Publikun e akuzon edhe për grabitje fondesh, të cilat mund të shpëtonin jetë njerëzish. Sipas saj, ajo ka dorë kudo, në dogana, në mobilime zyrash, në shëndetësi me tenderin e “check up”-it, por të gjitha këto nuk i mjaftuan, ndaj dhe i duhej të fuste duart edhe tek ilaçet.

Shëndetësia e Beqajt dhe Edi Ramës, – tha më tej Duma, – është ajo ku urgjenca dhe shoferi i ambulancës braktisin fëmijën e vdekur, ku mjeku roje u thotë pacientëve ‘më besoni, nuk na vijnë mjekët’. “Ky është shteti i Edi Ramës, shteti kanceroz i korrupsionit që të vjedh edhe në sëmundje”, ka mbyllur deklaratën Grida Duma.

Top Channel