Kostoja mjedisore e minierave, kontrolle në zonat e Kukësit e Bulqizës

20/11/2015 00:00

Ministria e Mjedisit dhe AKBN kanë nisur nga Qarku i Kukësit kontrollet për formalizimin e aktiviteteve minerare, zbatimin e kushteve të lejeve mjedisore, si dhe rehabilitimin e sipërfaqeve të dëmtuara nga shfrytëzimi minerar.

Inspektoriati i Policisë Pyjore ushtroi kontroll në 41 subjekte, 10 prej të cilave rezulton të kenë ndërhyrë abuzivisht në pyje.

“Ndërhyrja ka rezultuar sipas kontrollit të ushtruar të jetë në një sipërfaqe prej 31.3 Ha, duke shkaktuar dëmtim të fondit pyjor e atë të kullotave në vlerën rreth 14 miliardë e 89 milionë lekë. Për 3 subjekte është kërkuar procedim penal, pasi nuk kanë qenë të pajisura me leje mjedisore, si dhe u është gjetur parregullsi në dokumentacionin e lejeve minerare, duke shkaktuar një dëm në fondin pyjor prej 464 milionë lekësh”, tha Ergys Agasi, kryeinspektor i Mjedisit.

Për 5 subjekte, është kërkuar pranë AKBN-së revokimi i lejeve minerare për shkelje të përsëritura. 11 subjekteve u është mbyllur aktiviteti, ndërsa janë ndëshkuar me gjobë disa subjekte për mungesë të lejeve mjedisore, apo mosrespektim të kushteve të saj nga Inspektoriati i Mjedisit, që ka ushtruar kontroll në 36 subjekte.

“Vendosëm në dispozicion të këtij bashkëpunimi të gjithë bazën e të dhënave të AKBN-së, i cili ishte i nevojshëm për kryerjen e këtyre kontrolleve, si dhe të gjithë specialistët dhe inspektorët tanë”, tha Dael Dervishi, drejtor i AKBN-së.

Ministria e Mjedisit dhe AKBN bëjnë të ditur se, pas Qarkut të Kukësit, grupet do të vijojnë kontrollin në Bulqizë.

Top Channel