Ambasadorja e Holandës: Presim dekriminalizimin. Lajm i mirë konsensusi

20/11/2015 00:00

Dewi van de Weerd, ambasadore e Mbretërisë së Holandës në Tiranë, në një intervistë për Top Channel thotë se, Shqipëria nuk ka kohë për të humbur në miratimin dhe zbatimin e ligjit për dekriminalizimin.

Dewi van de Weerd: Mendoj se është një lajm i shkëlqyer, që mazhoranca dhe opozita janë duke bashkëpunuar në hartimin e ligjit të dekriminalizimit. Është diçka, që ata tani janë duke i dhënë prioritet dhe ky është një lajm i mirë. Nëse ju pyesni se kur do të duhet të hyjë në fuqi ky ligj, kjo varet sesi ligji do të hartohet. Por nëse flasim për dekriminalizimin e Parlamentit, kjo është ajo çfarë votuesit shqiptarë duan. Është diçka, që ata janë duke e pritur. Dhe, nëse e shikojmë këtë nga perspektiva e votuesve, koha është tani.

Shefja e diplomacisë holandeze në Shqipëri sugjeron se, nuk duhet të ketë nxitim në hartimin e projektligjeve.

Dewi van de Weerd: Konsultimet për projektligjet kanë një rëndësi të veçantë. Kjo ndihmon në pasjen e ligjeve me kualitet, nëse kryhen konsultime me ekspertët, grupet e interesit dhe aktorët kryesorë në këtë proces. Konsultimet marrin rëndësi edhe për procesin që pason, atë të zbatimit të ligjit. Disa ditë më parë unë isha në Lezhë dhe salla ishte e mbushur me njerëz, që diskutonin për reformën në drejtësi. Atje pati një mori me pyetje nga gjykatësit, prokurorët dhe ekspertët. Prandaj mendoj se, duke pasur konsultime të kësaj natyre është tepër e vlefshme.

Top Channel