Londër, dy javë amnisti për armët e zjarrit pas ngjarjeve në Paris

20/11/2015 00:00

Sulmet terroriste në Paris duket se kanë shtyrë Policinë Metropolitane t’u kërkojë londinezëve të dorëzojnë armët e paligjshme të zjarrit, çdo imitim armësh dhe çdo municion luftarak, gjatë një amnistie dyjavore, duke filluar nga e hëna e ardhshme.

Gjatë dy javëve të amnistisë së dorëzimit të armëve, çdo person që do të dorëzojë armët e zjarrit dhe municionet mund të mos ndiqet penalisht  për posedim të paligjshëm, dhe ai ose ajo do të mbesë anonim. Çdo armë e dorëzuar do të ekzaminohet nga specialistët e Kriminalistikës për prova materiale në vende krimi të pazbuluara.

Gjatë kësaj amnistie, fokus i veçantë do t’i jepet armëve që janë imitacion dhe atyre me ajër, për të shmangur që këto armë të konsiderohen si armë të vërteta.

Një fushatë do të ndërmerret nga Policia Metropolitane në median sociale dhe imazhet në Tëitter për të bërë dallimin mes armëve të vërteta dhe atyre që janë imitim.

Superinterdenti dedektiv i Policisë Metropolitane të Londrës, Stephen Clayman thotë se “ngjarjet tragjike të fundjavës së kaluar në Paris kanë çuar në mënyrë të pashmangshme në një gjendje më të lartë gatishmërie në rrugët e kryeqytetit”.

Amnistia e fundit e armëve të zjarrit në Londër ka qenë vitin e kaluar, pas 6 vitesh, dhe në atë rast u dorëzuan 350 armë zjarri dhe 12.300 fishekë.

Anglia është një nga shtetet, ku armëmbajtja pa leje është në nivelet më të ulëta në Europë dhe në botë. Ndërkohë ka pasur raste, kur të rinj shqiptarë që jetojnë në Londër janë arrestuar dhe janë dënuar vitet e fundit për armëmbajtje pa leje.

Top Channel