TCH në lagjen Molenbeek, nga ku u planifikuan sulmet në Paris

20/11/2015 00:00

Me apo pa shami mbi krye, gra, burra, fëmijë e të moshuar, nga kombësi të ndryshme e shtetas belg u mblodhën në shesh, në një manifestim qytetar të lajmëruar nga Komuna e Molenbeekut. Në heshtje, ata ndezën qirinj për paqe e solidaritet, ndërsa ende nuk e besojnë përse lagja e tyre është kryelajm i mediave në mbarë botën, për më tepër si “fole xhihadistësh” në Europë.

Abderrachid Azdad, banor (belgo maroken) i Molenbeek: Sinqerisht, mendoj se populli e ka të vështirë të marrë veten pas asaj çfarë ka ndodhur. Të gjithë ngrenë pyetje. Të gjithë druhen për familjet e tyre, për shoqërinë, e mbi një seri gjërash të jetës së përditshme. Të gjithë janë sot nën shok. Komuna e Molenbeekut nuk përfaqësohet vetëm nga disa individë, që kanë kryer akte terroriste në Paris apo diku tjetër, por nga popullata, e cila është po ashtu viktimë e asaj që ka ndodhur në Paris.

Farida Aarrass, banore (belgo marokene) e Molenbeek: Jemi të shokuar se po kalojmë një fazë stigmatizimi në Komunën e Molenbeekut, e për më shumë, merren masa kontrolli kudo për të hyrë këtu në shesh, kur ne mblidhemi për të kundërtën, për të zhbërë idetë e gabuara ndaj njerëzve të kësaj komune.

Jeta e përditshme ka ndryshuar. Në shkolla, fëmijëve mbi 8 vjeç u është shpjeguar për aktet tragjike të Parisit dhe se përse ka autoblinda, ekipe emergjencash dhe një prani të madhe të policisë, që prej disa ditësh bëjnë bastisje banesash, kontrolle të befasishme, bllokime rrugësh e aksione të tjera, për kapjen e terroristëve të dyshuar dhe shkatërrimin e rrjeteve të tyre.

Farida Aarrass: Është e njëjta gjë për ta. Kur flet arabisht je mysliman, e nëse je mysliman je edhe arab. Është një lojë fjalësh, por sigurisht që myslimanët janë në shënjestër dhe shihen si kamikazë që do të shpërthejnë, ndërkohë që ka grupe të tilla kudo. Nuk kemi pse të vëmë të gjitha komunitetet në të njëjtën pjatë. Në këtë komunë ka qenë mirë, edhe pse ka pasur probleme si gjithandej, por pse Molenbeeku? Pse? Është e turpshme dhe, personalisht, prisja që kryetarja e komunës të reagonte ndryshe, e jo të hapte portat ndaj zotit Jambon, që flet për pastrim. Pra, ajo nuk është e sigurt se çfarë ka në komunën e saj? E të mendosh se jetonim të qetë deri tani. Nuk është normale.

Ndonëse kryetarja e Komunës së Molenbeekut, Françoise Schepmans mendon se komuna e saj “është stigmatizuar me pa të drejtë”, vet kryeministri belg Charles Michel pranon se, në këtë lagje “ka një problem gjigant”. Ministri i Brendshëm, Jan Jambon ka premtuar se do të pastrojë Molenbeekun, por nuk dihet se si. Përqëndrimi i komunitetit maroken dhe algjerian në një zonë të Molenbeekut ka ndikuar për krijimin e njëfarë “getoje”, me një shoqëri të mbyllur që dallon nga pjesët e tjera të kryeqytetit belg.

Prej viteve ’70 vlerësohet se ka nisur ardhja e personave, që i përkasin variantit më radikal të Islamit politik, i cili është i papranueshëm edhe për vet shtetet prej nga vijnë.

Pothuajse në të gjitha aktet terroriste të dekadës së fundit në Europë gjendet ndonjë element lidhës me Molenbeekun. Së fundmi, policia franceze thotë se, sulmi në Paris është planifikuar dhe ekzekutuar nga terroristët, që kanë banuar në këtë lagje, vetëm 10 minuta larg qendrës së Brukselit.

Amet Gjanaj, këshilltar i Komunës Molenbeek dhe deputet i Brukselit: Ashtu si shqiptarët kanë përzgjedhur Skarbekun, marokenët kanë zgjedhur Molenbeekun. Pothuajse gjysma e popullsisë 100 mijë banorëshe këtu është marokene, ndaj dhe është e pamundur që ndonjë maroken në botë të mos ketë një lidhje me Molenbeekun. Njerëzit nuk është se nuk duan të kallëzojnë, por frikësohen se mund të kërcënohen me djegien e veturës apo diçka tjetër. Duhet ditur se, këtu në Molenbeek, papunësia shkon në 40% te të rinjtë. Janë afruar shumë persona të qelizës terroriste “Sharia4Belgium” dhe dihet që ata kanë bërë punën e tyre, kanë rekrutuar. Është një belg i konvertuar, quhet Zhon Klod, e di sepse e kam hasur në tregun këtu. Ai vinte në Molenbeek dhe tentonte të bindte rininë se sistemi është i dështuar dhe se, nuk kishte shpresë për ata, sepse ishin myslimanë, duke u munduar që t’i rekrutonin për të vajtur në Siri. Dihet që ky person, tani në burg, ka qenë mjaft aktiv.

Amet Gjana: Një prej këtyre vëllezërve punon në komunën e Molenbeekut prej vitesh dhe nuk është dëgjuar ndonjëherë për këto. Është dëgjuar për gjëra të tjera, do të thotë vjedhje apo shitje droge, por nuk është një person që ka pasur kontakt me fenë Islame.

Belgjika ka numrin më të lartë të luftëtarëve të huaj në raport me numrin e popullsisë, ndërsa veçohet nga ekspertët si “thembra e Akilit” për sigurinë e Europës. Autoritetet vendase kritikohen se, kanë toleruar krijimin e një qendre të tillë në Molenbeek, ndaj dhe kërkohet ndryshim i qasjes së policisë për këtë lagje.

Përgatiti: Arta TOZAJ

Top Channel