Durrës, “arrest me burg” për doganierët që nuk ndaluan drogën

20/11/2015 15:50

Në Gjykatën e Durrësit u zhvillua seancat e vleftësimit të ndalimit dhe caktimit të masës së sigurisë për shtetasit Fatjon Trezhnjeva, 28 vjeç dhe Edmond Hysko, 42 vjeç, përkatësisht me detyra operator i skanimit/analizës dhe supervizor i turnit.

Dy të arrestuarit akuzohen se nuk kanë sinjalizuar autoritetet policore në portin e Durrësit për praninë e dy lloje ngarkesash në kamionin ku u gjetën 1460 qese me marijuanë, ndërsa mbrojtja deklaroi se subjekti “Altini Mermer sh.p.k”, e themeluar vetëm një muaj më parë, kishte paraqitur pranë tyre 2 deklarata për 2 ngarkesa të ndryshme malli, konkretisht panele druri dhe tallazh të importuar nga Mali i Zi.

Pikërisht këtë të fundit kanë shfrytëzuar trafikantët për të kaluar mallin e paligjshëm, po këtë pretendim e ka kundërshtuar prokurori i çështjes. i cili tha se ekziston vetëm një deklaratë doganore e Doganës së Durrësit, ndërsa deklarata me llojin e ngarkesës tallash është lëshuar nga Dogana e Hanit të Hotit, ndaj nuk duhej marrë parasysh.

Gjyqtarja Anita Mici pranoi kërkesën e mbrojtjes dhe e shpalli të paligjshëm ndalimin me iniciativë të dy punonjësve, po vendosi të caktojë arrest me burg për ta deri në përfundim të hetimeve, pavarësisht se mbrojtja u përpoq të argumentonte se nuk ka vepër penale të shpërdorimit të detyrës, pasi të ndaluarit nuk janë funksionarë publikë, po punonjës të një shoqërie private.

Top Channel