Ambasadori i Rusisë në Shqipëri, Aleksandër Karpushin, ka zhvilluar mesditën e së premtes një takim pune në Bashkinë e Beratit. Qëllimi i këtij takimi ka qënë gjetja e rrugëve të përbashkëta të bashkëpunimit mes shtetit rus dhe Bashkisë së Beratit, ku ndër të tjera është diskutuar për binjakëzimin e Beratit me një zonë në Rostov.

Ambasadori rus, është shprehur se fushat më të rëndësishme të bashkëpunimit dypalësh do të fokusohen në kulturë, arsim, art dhe shkëmbime ekonomike dhe tregtrare.

Karpushin ka konfirmuar se vitin e ardhshëm, qeveria ruse do të realizojë dy projekte të rëndësishme me Bashkinë e Beratit, së pari çelja në Rusi e një ekspozite arti me ikonat si dhe të ndihmojë në rikonstruksionin e tyre, si  dhe botimin në gjuhën ruse të një sërë veprash  nga poetësh shqiptar, me përkthimin e të cilave po merret prej disa muajsh shkrimtari i njohur rus,Vladimir Masallov.

Karpushin ka konfirmuar se të dy këto projekte janë pjesë e programit të bashkëpunimit kulturor midis dy ministrive homologe të kulturës dhe kanë për qëllim njohjen e dy popujve.

Kryebashkiaku i Beratit, Petrit Sinaj, e ka cilësuar këtë takim si një mundësi të mirë bashkëpunimi mes dy vendeve, miqësia e të cilëve ka qënë e hershme dhe si e tillë duhet të përçohet edhe tek brezat e rinj.

Midis pikave të shumta të bashkëpunimit që mendohet të realizohen me qytetin e Beratit në fushën tregtare dhe atë kulturore, kryebashkiaku Sinaj i ka kërkuar ndihmë specialistëve rusë për restaurimin e monumenteve të Kulurës në Berat, ndërkohë që ka premtuar se do të propozojë një ditë të veçantë, që do t’i kushtohet çdo vit përçimit të kulturës ruse në këtë qytet.

Top Channel