Pronat, propozimi i Qeverisë kundërshtohet nga shoqatat e pronarëve

20/11/2015 00:00

Asnjë nga përfaqësuesit e shoqatave të pronarëve nuk e pranon si të drejtë propozimin e ri të Qeverisë për ta zgjidhur çështjen e pronës për një periudhë 10-vjeçare.

Të gjithë përfaqësuesit thanë se ky është një ligj po aq i keq sa 7501-shi, është antikushtetues, nuk kthen pronën fizikisht dhe nuk e shpërblen atë sipas vlerës reale të saj, siç thuhet edhe në vendimet e Gjykatës së Strasburgut.

Qeveria propozon që 26 mijë dosjet e pronave të trajtohen sipas formulës që i dëmshpërblen ata me vlerën aktuale, por sipas zërit kadastral në kohën e shpronësimit, që në shumicën dërrmuese të rasteve do të jetë tokë bujqësore. Njëri nga përfaqësuesit e pronarëve e shpjegoi me një aritmetike të thjeshtë.

“Nëse ne do të quajmë ‘tokë-truall’ atë sipërfaqe që ka qenë brenda vijave kufizuese në momentin e shpronësimit, kjo do të thotë se duhet të kontrollojmë vijën e verdhë të qyteteve të vitit 1945. Atëherë, nga kjo faturë prej 10 mijë hektarësh, më tepër se 8 mijë hektarë tokë-truall do të kompensohen si tokë bujqësore”, u shpreh Rushit Vorpsi, shoqata “Pronësi me drejtësi”.

Pronarët cituan një vendim të para pak ditëve të Gjykatës së Strasburgut për një nga pronarët shqiptarë, proces në të cilin Qeveria ka përdorur si mbrojtje formulën e propozuar në draftligj.

“Qeveria, me avokaturën e shtetit, i ka kërkuar Gjykatës së Strasburgut që çmimi të mos ishte rreth 38 mijë për metër katror, por të ishte vetëm 5500 lekë për metër katror. Gjykata e Strasburgut ka vendosur dhe i ka dhënë 2.3 milionë euro”, tha Vorpsi.

Në 15 vitet e fundit Gjykata e Strasburgut ka trajtuar rreth 40 raste pronarësh shqiptarë dhe e ka ngarkuar shtetin shqiptar me një faturë të detyrueshme për t’u shlyer rreth 26 milionë euro. Megjithatë, në përgjigje të interesit të Pandeli Majkos, si relator i projektligjit, avokatura e shtetit, la të kuptohet se formula e propozuar është pranuar si e drejtë nga Gjykata Kushtetuese.

“Është realizuar një komunikim standard, i hapur me këto organizma dhe çdo hap i hedhur është në pajtim me to dhe është marrë praktika më e mirë e vendeve që kanë kaluar nga i njëjti proces”, tha Agim Hysa, Avokatura e shtetit.

“Ky ligj vjen në zbatim për të gjetur një marrëveshje edhe me vendimmarrjet e Gjykatës së Strasburgut. Këtu askush nuk po luan me logjikën për t’jua hedhur shtresës së ish-pronarëve”, deklaroi Majko.

Paralel me draftin e Qeverise në Kuvend ka mbërritur edhe një amendament nga ish-kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, që kërkon zgjatjen edhe për 1 vit të afateve të ligjit ekzistues për kthimin dhe kompensimin e pronës.

Top Channel