Rruga drejt dekriminalizimit, nga 2013-a kur u artikulua për herë të parë e deri më sot

20/11/2015 00:00

Termi “dekriminalizimi i politikës” është artikuluar për herë të parë nga opozita pas zgjedhjeve të 2013-s, ku sipas saj në Parlament ishin zgjedhur disa persona me të shkuar kriminale dhe kjo gjë e bënte të domosdoshme pastrimin e Parlamentit por edhe administratës shtetërore nga këta individë.

Nga ana e saj, mazhoranca në fillim e quajti të pabazë këtë pretendim të opozitës. Por gjendja do të tensionohej ditë pas dite, deri në korrik 2014, kur pas një sulmi të deputetit socialist Arben Ndoka ndaj deputetit Gent Strazimiri në ambjentet e Kuvendit, Partia Demokratike dhe aletatët e saj vendosën të bojkotonin Parlamentin, duke kërkuar si zgjidhje të vetme largimin e elementëve me të shkuar kriminale nga salla e Kuvendit.

Debatet vijuan në distancë, me deklarata ultimative nga selia blu dhe një heshtje nga selia roze. Pas gati 5 muajsh “luftë të ftohtë”, me akuza dhe kundërakuza, edhe këtë herë u desh ndërhyrja e ndërkombëtarëve që të dy palët të uleshin në tryezë.

Me ndërmjetësimin e eruoparlamentarëve Eduard Kukan dhe Knut Fleckenstein, vigjilja e Krishtlindjeve do të sillte dhe një dhuratë për politikën shqiptare: arritjen e një marrëveshjeje që kthente jetën parlamentare në vend në normalitet.

Dy muaj pas kësaj marrëveshjeje, në shkurtin e vitit 2015, Kuvendi i Shqipërisë votoi në unanimitet për krijimin e Komisionit Hetimor për Dekriminalizimin, detyra e të cilit ishte hartimi i një ligji për të mbajtur jashtë politikës persona me të shkuar kriminale.

Por, edhe pse ky komision nisi punën për të gjetur një zgjidhje sa më të shpejtë dhe konsensluale, rruga deri mesditën e 20 nëntorit nuk ishte dhe aq e lehtë.

Opozita nga ana e saj këmbëngulte se në këtë proces duhet të përfshiheshin dhe kryerja e testit të dorgës dhe marrja e shenjave të gishtave, si dy elementë parandalues për depërtimin e krimit në Parlament dhe adminsitratë shtetërore.

Nga ana e saj, mazhoranca i cilësonte si të paprecedenta këto dy kërkesa, pasi në asnjë vend të BE-së këto masa nuk ishin të parashikuara.

Në mesin e debateve për ligjin e dekriminalizimit, i cili kishte si bazë ligjin italian të njohur si “ligji Severino”, në një intervistë për Top Channel, një nga hartuesit e ligjit në fjalë, Antonino Gullo theksoi se, pavarësisht se ky ligj mund të merret dhe është marrë nga vende të tjera, çdo shtet ka specifikat e tij.

Por, i pyetur për tesitin e drogës dhe marrjen e shenjave të gishtave, Gullo u shpreh se në Itali mjafton një vendim gjykate për të provuar fajësinë e një personi.

Në fund të korrikut, Partia Demokratike, me anë të deputetit Oerd Bylykbashi, njëkohësisht kreu i Komisionit Parlamentar për Dekrimnalizimin, paraqiti platformën e saj për këtë proces, ku sërish testi i drogës dhe shenjat e gishtave ishin flamuri i betejës së Partisë Demokratike.

Dy muaj pas platformës së paraqitur nga Partia Demokratike do të ishte qeveria e cila në 16 shtator do të paraqiste draftin e saj, ku përfshiheshin më shumë vepra penale në gamën e atyre që ndalonin persona me të shkuar kriminale të ishin pjesë e politikës. Por testi i drogës dhe shenjat e gishtave nuk ishin të parashikaura nga opozita.

Menjëherë pas këtij drafti të qeverisë pati përplasje të forta mes dy krahëve politikë në vend, ku edhe njëherë u desh ndërhyrja e ndërkombëtarëve për të ulur gjakrat dhe për të gjetur një marrëveshje.

Këtë herë detyra ishte e ambasadorit amerikan në Tiranë, Donald Lu, i cili në një sërë vizitash intensive mes selisë së Kryeministrise dhe asaj të Partisë Demokratike arriti të bindë të dy palët që të gjejnë konsensusin e munguar për 11 muaj dhe mesditën e 20 nëntorit të dalin me një propozim të përbashkët, ku sërish testi i drogës ka qenë ai që i ka ndarë dy palët.

Top Channel