Bankers-Tatime, në arbitrazh për 75 mln dollarë

20/11/2015 19:50

Kompania kanadeze “Bankers Petroleum” njoftoi se ka paditur qeverinë shqiptare në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit, për shkak të një konflikti me Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve.

Zanafilla e konfliktit, i cili ka kulmuar me bllokimin nga tatimet të llogarive bankare të kompanisë kanadeze, është një raport i Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore.

Në raport AKBN pretendon se  kompania kanadeze ka raportuar mbi 300 milionë dollarë shpenzime të pajustifikuara, duke ulur detyrimet që duhet të derdhë në shtet.

Pas debateve të forta, AKBN dhe “Bankers” ranë dakord që të pajtonin një auditues të pavarur, i cili do të vlerësonte pretendimet e të dy palëve dhe do të dilte në një konkluzion përfundimtar.

Por pa përfunduar auditimi në konflikt kanë ndërhyrë tatimet. Në bazë të raportit të AKBN, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka kryer vlerësim tatimor mbi “Bankers” duke i kërkuar të paguajë edhe 57 milionë dollarë taksa shtesë, të cilat sipas tatimeve ishin shmangur përmes rritjes së shpenzimeve.

Por, sapo tatimet tentuan të mblidhnin këtë detyrim, kompania iu drejtua Gjykatës Administrative në Shqipëri për të pezulluar vendimin. Në shkallën e parë, gjykata i dha të drejtë kompanisë kanadeze, por pasi tatimet e apeluan çështjen, Gjykata e Apelit e rrëzoi vendimin e shkallës së parë, duke i dhënë të drejtë tatimeve.

Pas këtij vendimi, një ditë më parë, tatimet kanë bllokuar llogaritë e “Bankers” për të mbledhur me forcë detyrimin tatimor sipas vendimit të gjykatës. Por, sapo është njoftuar për këtë veprim, kompania kanadeze i është drejtuar menjëherë arbitrazhit.

Përmes një njoftimi zyrtar, “Bankers” bën të ditur se ka aplikuar për një vendim bllokimi në Dhomën Ndërkombëtare të Tregtisë për të siguruar mbrojtje ndaj vendimit të tatimeve, deri në përfundimin e auditimit të pavarur, siç është rënë dakord mes saj dhe shtetit shqiptar të përfaqësuar nga AKBN.

Sipas “Bankers”, procesi i auditimit ndërkombëtar nga pala e tretë vazhdon në përputhje me marrëveshjen e rënë dakord me AKBN.

Kompania kanadeze thotë se një urdhër i Gjykatës së Arbitrazhit do të lejojë që procesi në tërësi të trajtohet në mënyrë të pavarur, në përputhje me parimet e pranueshme ndërkombëtare dhe se pret që qeveria shqiptare të pajtohet me çdo vendim ndërkombëtar dhe do të mbështesë rezultatin e procesit të auditimit të palës së tretë.

Top Channel