Lajmi i heqjes së taksave për biznesin e vogël nga Qeveria shqiptare është pasqyruar në dhjetëra media greke dhe është komentuar në mënyrë të veçantë edhe si një rrezik për largimin e bizneseve vendase drejt Shqipërisë.

Në fillim me një kryeartikull në faqen e parë të saj gazeta “Estia” i referohet në numrin e së premtes në mënyrë të hollësishme kësaj mase që sipas saj u jep një frymëmarrje mijëra bizneseve të vogla në vend.

“Rama ka hequr taksat për rreth 86000 biznese të vogla me xhiro vjetore deri në 36000 euro të cilat do përfitojnë nga kjo ulje e rëndësishme taksash”, shkruan gazeta greke në artikullin me titull “Taksa zero në Shqipëri!” dhe me nentitull  “Rreziku i joshjes së bizneseve greke”.

“Estia” analizon edhe faktin se përveç kësaj reforme në ekonominë e shtetit fqinj, Qeveria shqiptare dhe Kryeministri Rama, ulin nga 7,5% në 5% edhe tatimin mbi të ardhurat e biznesit të mesëm me xhiro vjetore nga 36.000-58.000 euro .

Gazeta greke bën krahasimin me reformat e dhimbshme financiare që po kalon Greqia dhe rritjen nga 26 ne 29% të tatimit mbi të ardhurat që u vendos vetëm para dy muajsh nga Qeveria “Tsipras”, ndërsa edhe tatimi paraprak u rrit nga 80% në 100%.

“Taksë zero për bizneset e vogla me xhiro deri në 36400 euro”, shkruan edhe uebsaiti ekonomik “Sofokleusin”. “Shqipëria ndihmon sipërmarrjen dhe biznesin me taksë zero ndaj bizneseve të vogla”, thekson “The caller”. “Përforcon biznesin Rama”, është titulli i artikullit nga portali “Newsbeast”.

Megjithëse sipas shifrave të fundit që tregojnë se Greqia këtë vit nuk do të ketë reçesion, pasi nuk regjistrohet reduktim i PBB, duke parë rritjen e taksave, rritjen e kontributeve shoqërore që duhet të paguajnë për punonjësit si dhe parashikimet negative për vitin që vjen me recension në 0.7%, mijëra biznese greke vlerësohet se do të emigrojnë në Shqipërinë fqinjë.

Mediat greke theksojnë gjithashtu se Shqipëria pati një rritje të nivelit ekonomik në 2,1% në 2014, me tendencë për të arritur sivjet  shifrën prej 3% dhe për të shkuar në 2016 ne 3.4%. 

Siç shkruan në mënyrë karakteristike “Estia”, edhe FMN në një raport të fundit,  vlerëson se do të shënohet në Shqipëri rritje e shpejtë e investimeve të huaja, shumë prej të cilave mund të jenë grekë thekson gazeta.

Top Channel