OKB, rezolutë për të luftuar ISIS. BE forcon kontrollet në kufi

20/11/2015 22:30

Fuqitë botërore janë angazhuar për të hartuar një rezolutë në Këshillin e Sigurisë të Kombeve të Bashkuara, për të deklaruar një luftë të përbashkët kundër xhihadistëve të ISIS.

Qeveritë europiane kanë urdhëruar verifikimin e menjëhershëm të të gjithë shtetasve të BE-së që shfaqin potencial për terrorizëm apo lidhje kriminale, ndërsa kontrolle të ashpra do të bëhen në çdo zonë kufitare të kalimit në  BE. Të gjithë qytetarët e unionit që do të hyjnë ose dalin nga zona e lirë e udhëtimit, i njohur si “Shengen”, do t’i nënshtrohet shqyrtimeve “sistematike”  ose ndryshe skanimit të të dhënave.

Ministri i Brendshëm francez, Bernard Cazeneuve tha se masat e ashpra do të hyjë në fuqi të menjëhershme, fillimisht në zona të veçanta, derisa Komisioni Europian të ndryshoje disa nga rregullat e Shengenit.

Kjo pasi rregullorja aktuale e “Shengenit”, i ka përgjithësisht të përcipta  procedurat e identifikimit të qytetarëve në BE. Më tepër ministrat e Brendshëm të unionit  bënë thirrje për verifikimin e të dhënave biometrike, por duke gjetur mënyra teknike që të mos pengojnë rrjedhshmërinë e lëvizjes. Përpjekjet e mëparshme për të forcuar regjimin kufijve, sidomos pas sulmeve të “Charlie Hebdo” në Paris, kanë dështuar.

“Masat e reja do të jenë në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, të të drejtave të njeriut, të refugjatëve dhe me të Drejtën Humanitare. Rezoluta “është e shkurtër, e fortë, dhe e fokusuar në një qëllim kryesor: luftën kundër armikut të përbashkët, ISIS”, tha ambasadori i Francës në OKB, François Delattre. Por diskutimet në Këshillin e Sigurimit do të vijojnë edhe javën e ardhshme.

Top Channel