Instituti “Flamand i Paqes”: Armë nga Ballkani për sulmet

21/11/2015 00:05

Instituti “Flamand i Paqes”, me seli në Bruksel, vetëm pak ditë pas sulmeve terroriste në Paris, publikoi një studim sipas të cilit, shumica e armëve që qarkullojnë në mënyrë ilegale në Belgjikë dhe jo vetëm, kanë origjinën nga vendet e Ballkanit.

Në një intervistë për Top Channel, Nils Duquet një nga hartuesit e studimit tregon se pse kanë arritur në këtë përfundim.

“Kur shikojmë tregun e armëve të paligjshme në Europë,  shumica janë armë dore, pra pistoleta. Por, policia ka vënë re rritjen e mbajtjes së armëve luftarake të tipit kallashnikov në vitet e fundit dhe të dhënat e policisë tregojnë se shumica e këtyre armëve vijnë nga Ballkani, të lëna pas nga luftërat në ish-Jugosllavi. Po flasim për armë të ardhura nga Serbia, Bosnja e Mali i Zi nga të gjitha këto vende ku shohim që njerëzit ende kanë armë shumë të sofistikuara ushtarake në zotërim. Ndoshta nga frika se mund të ketë një luftë tjetër ata nuk i kanë dorëzuar, por ajo që ndodh ndërkohë është që disa njerëz patën probleme financiare dhe nisen t’i shesin. Disa grupe kriminale përfituan nga kjo dhe nisën të blejnë armë si kallashnikovi, njerëzve privatisht në vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë dhe Shqipërinë, duke i trafikuar më pas në Europë. Sapo kalon kufirin e parë të Bashkimit Europian, më pas është shumë e lehtë që këto armë të qarkullojnë nga njëri shtet i BE-së në tjetrin”, deklaroi Duquet.

Sipas tij, trafiku i armeve kryhet në rrugë të ndryshme, në varësi të kontrolleve të policisë, por shton se ai kryhet së bashku me trafikun e drogës dhe të qenieve njerëzore.

“Nuk mund te kesh fitime shumë të mëdha nga trafiku i armëve, pasi po flasim për sasi të vogla armesh, 1,2, 3 apo ndoshta 5 armë të fshehura diku në një makinë. Pra. ti nuk mund te kesh përfitime të mëdha nga kjo sasi armësh duke marrë parasysh nëse kjo sasi do ishte drogë. Ne kemi të dhëna që grupet kriminale që kryejnë trafikun e armëve e kryejnë së bashku me trafikun e drogës ose me trafikun e qenieve njerëzore. Ata përdorin rrugë të ndryshme duke parë se ku ka më pak policë dhe i ndryshojnë shpesh itinerarin e tyre”, vazhdoi ai.

I pyetur lidhur me faktin se pse Belgjika është shndërruar në një strehë të terroristëve, Duquet ka këtë argumentim.

“Belgjika është një vend i vogël dhe është shumë e lehtë të fshihesh në vendin tonë, sepse ti je shumë afër qyteteve të tjera të mëdha si Londra, Parisi apo Amsterdami. Pra, nga pikëpamja terroriste, nga pikëpamja strategjike, ka shumë sens që të operosh nga një vend i vogël siç është Belgjika,  sepse nëse do të organizosh një sulm në Paris dhe fshihesh dhe e planifikon nga Belgjika, është shumë e vështirë për Inteligjencën franceze apo Policinë franceze që të të vëzhgojë. Ne nuk kemi një forcë të vërtetë policore europiane tani dhe bashkëpunimi i forcave policore nuk është se ka dhënë shumë rezultat. Pra, nëse ti do të ulesh shanset që të kapesh nga policia dhe të kryesh një sulm në Paris, vendi më i mirë për t’u fshehur është Belgjika”, shprehet Duquet.

Lidhur me çmimin e një kallashnikovi në tregun e zi, ai sqaron se varet nga një sërë elementesh që kanë të bëjnë me vendin e prodhimit, gjendjen e armës por edhe se në cilën kohë të duhet.

Por, sipas Duquet, çmimet variojnë nga 1000 deri ne 2000 euro dhe bëhet fjalë për kallashnikovë të vjetër, të cilët kanë vite që janë prodhuar dhe përdorur.

E në fund, duke u ndalur tek frika që ka mbërthyer gjithë Europën pas sulmeve në Paris, Duquet shprehet se ajo është reale dhe shanset për një sulm të dytë janë të larta.

“Njerëzit në Europë janë të frikësuar se do të ketë një sulm të ri dhe besoj që të gjithë e kuptojnë që shanset janë të mëdha që ne të sulmohemi sërish. Pyetja është ku dë të ndodhë dhe cilat do të jenë pasojat. Tashmë këta terroristë po përdorin gjithnjë e më pak eksploziv dhe më shumë sulme me kallashnikovë, sepse janë armë shumë të manovrueshme dhe mund të qëllosh pa pushim dhe kjo është pikërisht ajo që duan terroristët, që të kenë sa më shumë viktima në një kohë sa më të shkurtër. Njerëzit janë të frikësuar se duke ecur në rrugë dikush mund të qëllojë mbi ta. Tashmë, duke parë dhe sulmet e fundit në Paris, nuk flitet më për objektiva specifike dhe të rëndësisë të veçantë, por për restorante, kafene dhe ndeshje futbolli. Këto janë gjëra që njerëzit i bëjnë në kohën e lirë dhe ata janë të frikësuar se mund të jenë viktimat e radhës”, përfundoi Duquet.

Top Channel