Blindohet Brukseli, autoritetet flasin për “kërcënime serioze”

21/11/2015 00:00

Brukseli është në nivelin e katërt të sigurisë, i blinduar nga forca të shumta policore dhe anti-terrori.  Përmes një deklarate të ministrisë së Brendshme belge, flitet për një kërcënim serioz dhe të afërt në kohë.

Kjo pasi Brukseli rezultoi të ishte pjesë e skenareve terroriste që mbërthyen Parisin, pasi dy kamikazë ishin nga Belgjika, ndërkohë që 3 të tjerë po përballen me akuza për terrorizëm. Kryeministri belg Charles Michel, u shpreh se niveli i sigurisi u rrit, bazuar në një alarm për risk që mund të jetë i përngjashëm me atë në Paris.

Njerëzit janë këshilluar të shmangin vendet publike sikurse janë qendrat tregtare, koncertet, aeroportet, lokalet e frekuentuara, apo transportin publik pasi sistemi i metrove është mbyllur. E ndërsa disa evente sportive që do të mbaheshin në 21 dhe 22 nëntor, janë anulluar.

Një tjetër arsenal armësh u gjet në shtëpinë e arkitektit të sulmeve të Parisit, në lagjen Molenbek të Brukselit, aty ku janë edhe dyshimet më të mëdha se drejtohej celula terroriste.

Ndërkohë në një tjetër operacion blic policia turke ka arrestuar një tjetër belg me origjinë marokene me dyshimin e lidhjeve me sulmet që vranë 130 njerëz në Paris. 26-vjeçari u ndalua në një hotel luksoz në qytetin jugor bregdetar të Antalias.

Por një atmosferë ndryshe ka përfshirë kyeqytetin francez. “Parisi nuk është i heshtur dhe as po qan më”, shkruan një artikull i “The Guardian”. Vetëm një javë pas sulmeve shkatërruese, parizienët kanë festuar deri në orët e para të mëngjesit të së shtunës duke riafirmuar vlerat e përjetshme franceze -shkruan prestigjozja: zhurmë, gëzim dhe dritë.

Sipas analistëve gjendja më e qetësuar në Francë vjen një ditë pasi Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara votoi unanimisht për projekt- rezolutën franceze që i bashkon të gjithë shtetet në luftën kundër grupit terrorist Isis. përfaqësuesit shfaqen një qëndrim të njëjtë përsa i përket masave të nevojshme që duhen marrë për të parandaluar mizoritë e mëtejshme të ekstremistëve.

Top Channel