FSHF me dorë të butë, e pëson veç Latifi

21/11/2015 11:15

Në Federatën Shqiptare të Futbollit është mbledhur Komisioni i Etikës me objekt të veçantë ndeshjen e javës së njëmbëdhjetë të Kategorisë Superiore, Tërbuni- Bylis, për të cilën janë hedhur dyshime se ka qenë e trukuar.

Në mbledhjen e zhvilluar, Komisioni u njoh me materialet që kishte në dispozicion, të servirura nga Sektori i Garave, pranë FSHF.

Por, kur pritej që të kishte fakte shtesë apo të dhëna për manipulimin potencial të rezultatit, FSHF tregon dorë të butë. Në bazë të të dhënave, pasi diskutuan gjatë në lidhje me këtë ndeshje, anëtarët e Komisionit vendosën që të vazhdojnë hetimet për takimin Tërbuni – Bylis.

Komisioni i Etikës do të mblidhet përsëri në javën e ardhshme dhe do të thërrasë si dëshmitarë, zyrtarët e ndeshjes (delegatë dhe vëzhgues) dhe arbitrat e saj. Ai do të thërrasë gjithashtu edhe dy kapitenët e skuadrave për shkak se zyrtari i ndeshjes i ka thirrur dhe i ka kërkuar të luajnë futboll të pastër. Komisioni i Etikës, i ka kërkuar gjithashtu UEFA-s, që të sjellë informacion në lidhje me këtë ndeshje.

Ndërkohë Disiplina ka gjobitur Flamurtarin dhe Partizanin secilin me nga 100 mijë lekë për sjellje te keqe te tifozerise. Dyfish e ka pësuar Kukësi për të njëjtin motivacion. Ndërkohë Lojtari i KF “Skenderbeu”, Liridon Latifi, per sulm ndaj lojtarit kundershtar, denohet me 5 (pese) ndeshje pezullim

Top Channel