Dënim i rëndë për Arijan Ademin

21/11/2015 12:40

Futbollisti shqiptar i kombëtares së Maqedonisë, Arijan Ademi e ka pësuar shtrenjtë dështimin në një test antidoping. Mesfushori i Dinamos së Zagrebit është pezulluar me 4 vjet nga të gjitha aktivitetet futbollistike për shkak të përdorimit të dopingut, një prej dënimeve më të rënda në sportin më popullor që është dhënë në vitet e fundit.

Arijan Ademi doli pozitiv me substanca të ndaluara në testet e bëra pas ndeshjes që kroatët fituan 2-1 ndaj Arsenalit në Ligën e Kampioneve në Shtator. Tani 24-vjeçari do të rikthehet të luajë futboll vetëm në vitin 2019. Por mbi sanksionet e dhëna kanë plasur polemikat për rolin e mjekëve të kombëtares së Maqedonisë, ndërsa trajneri i Dinamos, Zoran Mamic u shpreh i tronditur.

“Do të shkojmë në fazën e dytë, edhe te Gjykata e Arbitrazhit(CAS) në Lozanë nëse do të jetë nevoja. Arijani është një djalë fantastik, i dyti tek ne nga komanda, dhe ne duam ta mbrojmë atë, klubin dhe madje edhe futbollin tonë, sepse kjo është një njollë e madhe për të gjithë ne”, ka thënë Zoran Mamic.

“Kjo nuk ka kuptim. Ky dënim erdhi pasi djali dhe ekspertët e UEFA-s zbuluan një shtesë jo të mirë përdorur, edhe pse u bindën se ai nuk e dinte se ka marrë diçka që nuk duhej. Unë nuk kam fjalë”, ka shtuar Zoran Mamic. Dinamo do të luajë ndaj Arsenalit këtë të martë, por tani shqiptari Ademi do të jetë spektator.

Top Channel