Kosovë, bashkohet opozita; thirrje për protestën e 28 nëntorit

21/11/2015 00:00

Udhëheqësit e tre subjekteve opozitare në Kosovë janë mbledhur këtë të shtunë në një tubim në Pallatin e Rinisë në Prishtinë, për të mobilizuar strukturat për organizimin e manifestimit që kanë thirrur më 28 nëntor në sheshin “Zahir Pajaziti”.

Liderët e Vetëvendosjes, AAK-së dhe NISMA-s u shprehën të vendosur në kundërshtimin e marrëveshjeve me Serbinë dhe Malin e Zi, ndërsa ftuan simpatizantët e tyre të bashkohen në protestë.

Visar Ymeri, VV: “Koalicioni Thaçi-Mustafa është krijuar për të vetmen arsye, që të sigurojë realizimin e kësaj kërkese të Serbisë, pra Zajednicën. Kjo është edhe arsyeja pse kjo qeveri nuk guxon të tërhiqet prej Zajednicës, sepse po të mos e bëjë atë nuk e përmbush më detyrën e vetme që i kanë dhënë sponsorizuesit e saj. Megjithatë, ajo mund të vonohet edhe disa ditë, por shpëtim nuk mund të ketë. Nëse nuk tërhiqet prej Zajednicës, ne do ta heqim bashkë me Zajednicën”.

Ramush Haradinaj, AAK: “Nuk lejojmë që në Kosovë të ketë dy zotër shtëpie. Sot Kosovës po i ofrohen dy shtete, një marrëveshje dykuptimëshe, që të interpretohet në dy mënyra. Cilat janë këto? Dy Kosova. Një Kosovë e pavarësisë së 17 shkurtit dhe një Kosovë e Zajednicës”.

Fatmir Limaj, NISMA: “Më 28 nëntor, në këtë ditë të shenjtë të Skëndërbeut dhe të Ismail Qemalit, të bashkohemi në një manifestim paqësor, qytetar, njerëzor, patriotik, kombëtar, burra e gra, djem e vajza, të gjithë së bashku për të shprehur përmes një solidarizimi, përmes një tubimi paqësor, mospajtimin tonë, kundërshtimin tonë ndaj këtyre dy marrëveshjeve që janë shkatërruese për të ardhmen e vendit tonë”.

Në këtë tubim munguan deputetët Albin Kurti, Albulena Haxhiu dhe Faton Topalli, të cilët janë në kërkim nga policia për t’u arrestuar. Dhjetëra policë të njësive speciale edhe gjatë kohës që po mbahej ky manifestim ishin përreth Pallatit të Rinisë duke parë nëse aty po qëndronin deputetët për të cilët ka fletë-arreste.

Por edhe pse nuk ishin aty, deputetët në fjalë u përshëndetën nga kolegët e tyre. Strukturat e tre subjekteve opozitare morën porosi nga liderët partiakë që të dalin në terren dhe të mobilizojnë qytetarët për të marrë pjesë në protestën e 28 nëntorit në Prishtinë.

Top Channel