Emigrantët duhet të flasin anglisht para bashkimit familjar

21/11/2015 00:00

Gjykata e Lartë britanike ka vendosur se burrat dhe gratë e shtetasve britanikë që kërkojnë t’i bashkangjiten këtyre të fundit në Britani, do të duhet të dinë anglisht dhe të kenë dhënë provimin e gjuhës.

Ky vendim i gjykatësve të lartë në vend, erdhi pasi dy gra jo me origjinë britanike, por shtetase britanike, e çuan çështjen në Gjykatën e Lartë, pasi kërkonin që burrat e tyre të bashkoheshin me to, duke argumentuar se nevoja që ata të flisnin anglisht ishte ndër të tjera e “pa arsyeshme dhe diskriminuese”. Sipas tyre, kjo kërkesë shkelte të drejtën e tyre për jetë private dhe familjare në bazë të ligjit evropian.

Por në mënyrë unanime, paneli i Gjykatësve të Lartë e hodhën poshtë këtë apelim dhe theksuan se nuk kemi të bëjmë me shkelje të Nenit 8 të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut.

Në situata të ngjashme ndodhen edhe shumë shqiptarë të Britanisë nga Kosova apo Shqipëria që kanë një hall të përbashkët dhe kërkojnë të bëjnë bashkimin familjar me gratë apo burrat e tyre. Përveç shumave goxha të larta që do duhet të demostrojnë se fitojnë nga puna, shqiptarët dhe kushdo me shtetësi britanike, edhe gjuha angleze mbetet një sfidë shtesë.

Ka shume raste kur për shkak të burokracisë shumë shqiptare, shtetas britanik kanë problem të natyrave të ndryshme dhe ndodh jo rallë, që ata detyrohen t’i sjellin ilegalisht burrat ose gratë e tyre, duke paguar shuma që shkojnë në 6 deri 7 mijë stërlina për person. Mendohet që një pjesë pasi mbërrijnë në Britani pas disa kohësh kërkojnë azil si persona të trafikuar siç ka shkruar edhe shtypi britanik.

Top Channel