Ndarja e refugjatëve, mbeten në Greqi ata që nuk janë nga Siria, Afganistani dhe Iraku

21/11/2015 00:00

Problematike shfaqet çështja e emigrantëve në kufirin mes Greqisë dhe Maqedonisë. Mijëra refugjatë kanë fushuar në fashtin Idhomeni, në kushte të vështira mbijetese por pa dashur të kthehen pas.

“Pse na ndaluan këtu? Ku do shkojmë tani. Pas nuk kthehemi. Kemi kaluar pas shtete për të ardhur deri këtu dhe nuk kemi ndër mend të kthehemi. Dy janë mundësitë. Ose do kalojmë kufijtë ose do vdesim këtu. Pas nuk kthehemi”, thotë një prej tyre.

Policia kufitare maqedonase ka filluar filtrimet ndër ta. Ajo lejon të kalojnë vetëm refugjatët që vijnë nga vende si Siria, Afganistani dhe Iraku. Por mijëra janë ata që kanë prejardhje nga Somalia, Irani, Pakistani dhe Maroku.

“Ne nuk jemi terroristë. Nuk përbëjmë problem për ju. Unë jam nga Bangladeshi dhe vendi im është shumë i varfër. Nuk ka as punë dhe as ushqim. Ndaj po vij këtu për një jetë më të mirë”, thotë një tjetër refugjat.

Temperaturat janë gjithnjë e në rënie dhe nga sot fillojnë dhe shirat. Ata janë vendosur të gjithë në shinat e trenave, pa asnjë kusht jetese. Fshatarët janë përpjekur t’i ndihmojnë me veshmbathje dhe ushqime. Po ata kanë nevojë për ngrohje dhe strehim.

Ndërkohë, të premten në mbrëmje presidenti i vendit Gjeorgje Ivanov u shpreh se ka ndërmend të kthejë pas edhe ata që i kthen Serbia gjatë ndarjes në refugjatë lufte dhe refugjatë ekonomikë. Ne nuk mund të bëjmë ndryshe nga sa bëjnë vendet e Evropës Veriore u shpreh ai.

Në të njëjtën kohe, të tjerë refugjatë i shtohen rradhëve. Vetëm të premten mbi 1500 të tille zbritën në portin e Pireut. Pasi iu nënshtruan regjistrimit policia veçoi 85 të dyshuar që iu nënshtruan pyetjeve nga autoritetet.

Top Channel