Thaçi: Të ndëshkojmë me vota BDI-në, nuk bëri asgjë për shqiptarët

21/11/2015 00:00

Kryetari i PDSH-së opozitare, Menduh Thaçi ka ftuar shqiptarët e Maqedonisë që në zgjedhjet e prillit të vitit të ardhshëm të ndëshkojnë partinë e Ali Ahmetit, BDI, e cila sipas tij, për 13 vite sa ka qenë në pushtet nuk ka arritur të realizojë asnjë të mirë për shqiptarët.

“Si është gjendja e shqiptarëve në infrastrukturë, në kanalizime dhe ujësjellës, në ambiente publike, në çerdhe, zero investime. Si është gjendja e përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe, zero. Si është gjendja e përdorimit të flamurit kombëtar të shqiptarëve, është e nënçmuar dhe përçmuar”, tha Menduh Thaçi, kryetar i PDSH-së.

Sipas Thaçit, legjitimi i i sërishëm i BDI-së në zgjedhjet e ardhshme, do të ishte gabim fatal, pasi siç u shprehet ai, kjo parti, kontrollohet tërësisht nga kryeministri Nikolla Gruevski. Kreu i PDSH-së, foli edhe për rrezikun që ju kanoset shqiptarëve të Maqedonisë nga disa parti apo individëve që sipas tij, janë vënë në funksion të opozitës maqedonase dhe kanë harruar interesat kombëtare.

“Fillimisht shqiptarët duhet të realizojnë kërkesat e tyre kolektive, siç është vendimmarrja në institucione shtetërore të jetë me konsensus të plotë dhe e dyta diskriminimi ekonomik i shqiptarëve të ndalohet dhe të ndërpritet me ligj dhe kushtetutë, më pas mund të flasim për të drejtat të barabarta të qytetarëve”,vijon Thaçi.

Gjatë fjalës që mbajti në Konferencën e forumit rinor të PDSH-së, Thaçi u shpreh i bindur se partia e tij do të dalë fituese në kampin shqiptar në zgjedhjet e ardhshme parlamentare në Maqedoni që janë caktuar të mbahen më 24 prill të vitit 2016.

Top Channel