PD akuzon bashkinë e Tiranës për tarifat e parkimit: Bëri ndarje selektive

21/11/2015 00:00

Këshilltarët e djathtë në bashkinë e Tiranës akuzuan maxhorancën e majtë se ka vendosur tarifa klienteliste për projektin e vendeve të parkimit në kryeqytet.

Siç argumentuan disa nga këshilltarët e Partisë Demokratike në një reagim, njësitë administrative të qytetit do të tarifohen sipas preferencave politike, ndërsa kjo sipas tyre do të penalizojë numrin më të madh të banorëve.

“400 lekë/ora për këtë zonë në njësinë tetë. Ndërsa përsa i përket rrugëve të tjera, siç janë te blloku, rrugë konkrete, më shumë se 70-80% e atyrerrugëve do të jenë pa pagesë. Dhe ajo zonë që do të jetë me pagesë do të jetë me 200 lekë/ora. Njësia 8 që është një njësi që ka preferenca të qarta politike do të tatohen shumë më shumë, dhe qytetarët nuk do të kenë vend ku të parkojnë makinat e tyre pa lekë”, thotë Mateo Spaho, këshilltar i PD-së në bashkinë e Tiranës.

Një tjetër problem sipas të djathtëve në këshillin bashkiak është mungesa e një studimi për ndarjen e vendeve. Zana Guxholli akuzoi bashkinë se nuk ka bërë një vrojtim për kërkesat e sakta të vendeve të parkimit, gjë që sipas saj do të sjellë situata të shpeshta me trafik të ngarkuar.

“Nuk ka asnjë studim paraprak, askush nuk e di sa janë kërkesat e banorëve këtu për të parkuar, sa është numri i makinave, dhe sa do të ngushtohet, sa vende do të ngelen që do të quhen gjasme pa para, për të cilët banorët do të vijnë rrotull, e do të grinden për të gjetur një copë vend këtu”, tha Guxholli.

Në mbledhjen e fundit të këshillit, bashkia e Tiranës, vendosi që vendet e parkimit në 71 rrugë të Tiranës, do të administrohen nga Tirana Parking, e krijuar posaçërisht për problemin e vendparkimeve në kryeqytet, nga ora 7.30 e mëngjesit deri në orën 20.00 të mbrëmjes.

Top Channel