Myslimanët e Italisë, manifestim kundër terrorizmit

21/11/2015 16:45

Myslimanët e Italisë janë mbledhur këtë të shtunë në Romë, për të protestuar në emër të komunitetit islamik kundër terrorizmit.

Manifestimi, i cili ka nisur në sheshin Santi Apostoli, ka nisur me një minutë heshtje në nder të viktimave të Parisit.

“Jo në emrin tim”, ka qenë parulla kryesore e tubimit të komunitetit mysliman, e pasuar nga të tjera të tipit “Jo terrorizmit”, “Jo ISIS”, etj.

“Mos kini frikë nga ne” ka qenë ndërkohë thirrja e një protestuesi teksa marshonte në rrugët e kryeqytetit italian.

“ISIS është një kancer që ka depërtuar në trupin islamik. Ajo që bëri në Francë është një sulm kundër gjithë komunitetit tonë”, ka thënë një tjetër.

Më herët, kryetari i Senatit italian, Piero Grasso përshëndeti mbajtjen e manifestimit përmes një postimi në rrjetin social Facebook.

“Sot në Romë myslimanët e Italisë do të zbresin në rrugë në shenjë solidariteti ndaj viktimave të sulmeve në Paris dhe familjarëve të tyre, si dhe për të dënuar çdo formë dhune të kryer në emër të Zotit dhe fesë. Idealisht jam me ata”, shkroi zoti Grasso.

Top Channel