Mali, kërkime për atentatorët e hotelit; ende paqartësi mbi sulmin

21/11/2015 17:40

Forcat e sigurisë në Mali janë në kërkim të tre të dyshuarve të lidhur me sulmin e një dite më parë në kryeqytetin Bamako, ku mbetën të vrarë dhejtëra persona.

Nuk është e qartë nëse personat që po kërkohen morën pjesë në sulmin terrorist në hotelin luksoz, apo janë bashkëpunëtorë të agresorëve. Gjithashtu, nuk dihet ende me saktësi numri i atentatorëve që hynë në hotel duke qëlluar me armë automatike.

Dëshmitarë nga vendi i ngjarjes deklaruan se në hotel hynë deri në 13 persona, por kompania që menaxhon hotelin, “Rezidor Group”, tha se në sulm ishin përfshirë vetëm 2 vetë.

Dy militantë mbetën të vrarë pasi forcat speciale bastisën hotelin ku ishin marrë peng rreth 170 persona, duke liruar pjesën dërrmuese të tyre.

Presidenti i vendit, Ibrahim Boubacar Keita ka shpallur 10 ditë gjendje të jashtëzakonshme dhe 3 ditë zije. Por, duke folur jashtë godinës së hotelit “Radisson Blu” një ditë pas masakrës, ai deklaroi se vendi mbetet i hapur për biznes.

“Mali nuk është dhe nuk do të jetë kurrë një zonë kufitare e mbyllur. Parisi nuk është, Gjeneva jo, as Nju Jorku e as Moska”, tha ai.

Organizata Al Murabitoun, degë e Al Kaedës së Magrebit islamik, mori përsipër përgjegjësinë e sulmit. Ishin forcat speciale maliane dhe ato franceze, të ndihmuara nga operativë amerikanë që i dhanë fund orëve të tmerrit. 

Top Channel