Publikimi i dokumenteve sekrete, Vatikani padit 5 persona

21/11/2015 18:25

Vatikani ka ngritur akuzë ndaj 5 personave lidhur me skandalin që në muajt e fundit çoi në rrjedhjen e dokumenteve konfidenciale tek mediat.

Bëhet fjalë për priftin e rangut të lartë, Lucio Vallejo Balda, asistentin e tij Nicola Maio, ish-vartësen Francesca Chaouqui, si dhe dy gazetarët Emiliano Fittipaldi e Gianluigi Nuzzi.

Balda dhe Chaouqui ishin anëtarë të një komisioni të ngritur nga Papa Françesku për ta këshilluar atë mbi reformat ekonomike.

Ata akuzohen se i kaluan dokumentet e rezervuara gazetarëve Fittipaldi dhe Nuzzi, të cilët në fillim të nëntorit publikuan libra bazuar në to.

Balda dhe Chaouqui u arrestuan në fillim të nëntorit. Chaoqui u lirua pak orë më pas, pasi u shpreh e gatshme të bashkëpunonte me autoritetet, ndërsa imzot Balda vazhdon të qëndrojë në një qeli të Vatikanit. Së bashku me asistentin Maio ata akuzohen se kishin formuar një “vëllazëri kriminale”.

Ndërsa Fittipaldi dhe Nuzzi u morën në pyetje pasi informacioni që përmbanin dokumentet, përfshirë detajet e aferave korruptive, vjedhjeve dhe shpenzimeve të pakontrolluara të selisë së shenjtë u shfaqën në librat e tyre.

Një seancë paraprake gjyqësore në ngarkim të tyre është parashikuar për më 24 nëntor.

Në një deklaratë për shtyp, Vatikani njoftoi se prokurorët kanë njoftuar zyrtarisht të akuzuarit dhe avokatët e tyre për akuzat e ngritura, për “zbulim të paligjshëm informacioni dhe dokumentash konfidenciale”.

Top Channel