Tusk-Rama: Të bashkuar do të fitojmë mbi terrorizmin

22/10/2015 11:20

Donald Tusk, president i Këshillit Europian, në kuadër të një turi ballkanik, qëndroi disa orë në Tiranë, ku në takimin e zhvilluar me kryeministrin Edi Rama tre ishin çëshjet e diskutuara: rreziku i terrorizmit, kriza e refugjatëve dhe ajo e integrimit të Shqipërisë në BE.

Në deklaratën e përbashkët për median, kryeministri Edi Rama i quajti ngjarjet e Parisit si një kasaphanë dhe akt lufte ndaj qytetërimit europian: “Në masakrat e Parisit më 13 nëntor, terrorizmi islamik e uli shënjestrën nga lartësia e monumenteve dhe simboleve të qytetërimit modern demokratik, tek lartësia e njerëzve të zakonshëm në hapësirën e jetës së tyre të përditshme. Tanimë, askush, askund matanë perçeve dhe rrobave të zeza të shkretëtirës shpirtërore që solli erën e gjakut në rrugët e Parisit, nuk është i sigurtë. Ky është mesazhi që na përcollën terroristët natën e 13 nëntorit dhe kjo është dhe sfida jonë në radhë të parë me vetveten. Ajo që ndodhi në Francë dhe që vazhdon të ndodhë përditë në formën e kërcënimeve apo të marrjes së masave mbrojtëse kundër terrorizmit duhet që në radhë të parë të mos lejojmë të na prekë njeriun brenda nesh. Vlerat që na kanë përcjellë të parët tanë apo që mishëron bota që kemi zgjedhur. Normaliteti në jetesën e familjes sonë, familjes sonë të vogël dhe po ashtu familjes sonë të madhe, qoftë familja shqiptare, qoftë familja europiane. S’ka vend për panik; s’ka vend për frikë; s’ka vend për të ndryshuar asgjë në rendin e ditës sonë.
Shqipëria nuk është as më shumë dhe as më pak e kërcënuar sesa vendet e tjera. Jeta vazhdon dhe secili prej nesh duhet ta jetojë atë përditë, pa rënë pre e pasigurisë që duan ta kallin në zemrat dhe në mendjet tona ushtarët e shkretëtirës pa zot. Në Shqipëri është marrë çdo masë e mundshme edhe pse askush, askund në botën të cilës i përkasim, nuk mund të jetë jashtë rrezikut. Jeta duhet të vazhdojë normalisht. Sepse s’ka absolutisht asnjë arsye të veçantë, asnjë fakt apo informacion të caktuar që ne në Shqipëri të ndjehemi më të kërcënuar sesa të gjithë të tjerët“.

Sot, Tirana, Parisi apo Brukseli, tha presidenti Tusk, ndjejnë të njëjtën shpresë dhe të njëjtën frikë. Por ai theksoi se shpresa është shumë herë më e fortë sesa frika: “Besoj fort se terroristët nuk do të na frikësojnë. Liria dhe solidariteti janë shumë herë më të forta sesa vullneti dhe frika. Askush nuk është vetëm sot. Është detyrë e jona politike të jemi bashkarisht përballë kësaj sfide, që është edhe më e madhja e kohërave tona”.

Pavarësisht se Shqipëria, tha kryeministri Rama, nuk është e prekur nga kriza e refugjatëve, jemi të gatshëm t’i bashkohemi Evropës në zbutjen e saj: “Shqipëria nuk është prekur nga kriza e refugjatëve, nuk është pjesë e korridorit ku kalon fluksi i refugjatëve. Por, siç e kemi thënë qysh në krye të herës, me dimrin dhe njëkohësisht edhe më ndërveprimin shpeshherë të munguar mes vendeve, Shqipëria mund të preket. Megjithatë, preket apo nuk preket, qëndrimi i Shqipërisë ka qenë dhe është i qartë. Ne nuk jemi europianë vetëm për ditë të mira. Ne jemi europianë edhe në ditë të këqija. Ndryshe nga shumë europianë që harrojnë që janë europianë kur përballen në ditë të këqija me fenomene, si fenomeni i krizës së refugjatëve, ne jemi të vendosur që të jemi pjesë e çdo projekti dhe plani europian, për të kontribuar sadopak në zbutjen e efekteve të kësaj krize, nga ana humanitare dhe nga ana politike për BE-në. Pra, edhe pa qenë anëtar, edhe pa hapur akoma negociatat, ne dimë të sillemi si europianë edhe më mirë sesa europianët”.

“Unë e vlerësoj gadishmërinë e Shqipërisë për të kontribuar në menaxhimin e krizës së refugjatëve. Niveli i kësaj sfide dhe ritmi i ngjarjeve do të thotë se ne të gjithë duhet të punojmë bashkërisht në mënyrë që këtë cështje ta trajtojmë në partneritet të vërtetë. Bashkimi Europian duhet t’ju ndihmojë për të menaxhuar flukset, ashtu siç po bëjmë dhe po ndihmojmë vendet e tjera për t’i trajtuar shkaqet që në gjenezë. Ne jemi të privilegjuar të kemi regjimin pa viza mes nesh, por ky privilegj duhet që të ruhet duke kontrolluar në mënyrë efektive kufinjtë e jashtëm”, deklaroi Tusk, i cili u ndal edhe në procesin e integrimit të Shqipërisë në BE, për të cilën nënvizoi se besimi i tij nuk ka asnjë alternativë tjetër për të ardhmen europiane.

“Jam i sigurtë që do të arrijmë progres bashkarisht“, pohoi ai.

“Ne ramë dakord për mbështetjen gjithëpartiake për të përfunduar reformat e mbetura pezull, e në veçanti atë në drejtësi, e cila duhet që të forcojë pavarësinë, efikasitetin dhe llogaridhënien e sistemit gjyqësor”, shtoi president i Këshillit Europian.

Tusk, në fund të deklaratës, vlerësoi politikën e jashtme të ndjekur nga Shqipëria me vendet e rajonit: “Bashkimi Evropian e vlerëson aleancën e plotë të vendit tuaj me vlerat tona të përbashkëta. Veçanërisht harmonizimin tuaj me politikat e përbashkëta për punët e jashtme me BE-në, siç ishte rasti i dhunimit nga Rusia të sovranitetit të Ukrainës. Kjo në vetvete është një shenjë e plotë që Shqipëria është një partner i besueshëm për Bashkimin Europian”.

Pavarësisht interesit të medias, Rama dhe Tusk nuk morën pyetje nga gazetarët me argumentin se “koha e presidentit të Këshillit Europian ishte tejet e limituar”.

Top Channel