Bruksel, alarmet mbyllën bare e restorante. Në rrugë, vetëm ushtarë

22/11/2015 00:00

Qendra e Brukselit ishte thuajse e boshatisur mbrëmjen e së shtunës. Alarmi për sulme terroriste, të ngjashme me ato të Parisit, detyroi bare e restorante të mbylleshin më shpejt se zakonisht, ndërsa nëpër rrugë nuk shiheshin veçse ushtarë që patrullonin.

Forcat e sigurisë vazhdojnë ethshëm gjurmimin e të arratisurit Salah Abdeslam, i shumëkërkuari për sulmet në kryeqytetin francez. Njerëz pranë tij thonë se është në zonën e Brukselit, e se po përpiqet të largohet për në Siri.

Që prej së premtes mbrëma, Brukseli është në gjendje alarmi maksimal nga sulmet terroriste. Qyteti nga ku u organizua masakra e Parisit, sipas kryeministrit Charles Michel mund të jetë dhe vet shënjestër episodesh të dhunshme.

Kreu i ekzekutivit pohoi se, ka informacione mjaft të sakta se individë me armë e lëndë shpërthyese mund të ndërmarrin jo një, por ndoshta edhe disa sulme në pjesë të ndryshme të kryeqytetit belg.

Një prej njerëzve që e kanë dërguar Abdeslamin në Belgjikë me makinë i ka rrëfyer avokates së vet se, i riu mbante veshur një xhaketë të madhe, që mbase fshihte poshtë saj një brez me eksplozivë.

Avokatja Carine Couquelet i tha një televizioni belg se, të tilla pretendime ngrenë pyetje të shumta, përfshirë këtu dhe mundësinë që Salah Abdeslami të jetë nisur edhe ai të hidhte veten në erë si të tjerët, por më pas të ketë ndërruar mendje.

Miq të 29-vjeçarit i thanë amerikanes “ABC News” se kishin komunikuar me të në “Skype”, ku ai vet i ka treguar se po fshihej në Bruksel dhe se po përpiqej dëshpërimisht të shkonte në Siri.

Salah, sipas tyre, është mes dy zjarresh: nga njëra anë autoritetet europiane, që e gjurmojnë këmba-këmbës; nga ana tjetër anëtarët e Shtetit Islamik, që vëzhgojnë çdo lëvizje të tij.

Banorët e Brukselit janë këshilluar të shmangin grumbullimet në masë; metroja është mbyllur, ashtu si dhe kinematë; ndërsa qendrave tregtare, kafeneve e restoranteve u është kërkuar të mos qëndrojnë hapur pas orës 18 të pasdites.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara këshilloi qytetarët amerikanë në Belgjikë të shmangin daljet nëpër rrugë dhe, ndërsa qeveria belge do të bëjë shumë shpejt një rishikim të situatës së sigurisë në Bruksel, komanda e trupave amerikane në Europë lëshoi një urdhërndalimi të udhëtimit të të gjithë personelit dhe kontraktuesve ushtarakë në këtë qytet për të paktën 72 orë.

Top Channel