Dëmtohen linjat elektrike nga stuhitë. Dhjetëra zona pa energji

22/11/2015 00:00

Moti i keq dhe veçanërisht stuhitë kanë goditur rrjetin e shpërdarjes së energjisë elektrike, duke lënë pa energji zona të tëra në të gjithë vendin. OSHEE njofton se, si pasoje e erërave janë shkëputur linjat në disa rajone, kryesisht zonat rurale, ku sistemi është edhe më i dobët.

Në rajonin e Shqipërisë së mesme, deri në mesditë rezultonin të dëmtuara linja e tensionit të lartë Shkozet-Mali Robit, linja Shijak-Ndroq, si dhe nuk ka pasur energji në nënstacionin e Durrësit dhe atë të Porto Romanos, për shkak të dëmtimit të linjave 35 kV.

Durrësi rezulton zona më e goditur, për shkak edhe të intensitetit më të fortë të stuhive, të cilat kanë filluar që të shtunën në mëngjes. Në këtë rreth, veç linjave të tensionit të lartë janë dëmtuar edhe 19 fidra, ndërsa zonat e mbetura pa energji janë ato të Xhafzotajt, Spitallës, Romanatit, Koxhas dhe ish-Kënetës.

Në jug, stuhia ka dëmtuar linjat e tensionit të mesëm në Gjirokastër, ku ka probleme në 12 fidra, si pasojë e erës së fortë dhe kohës së keqe me shi gjatë natës e në vazhdim, ndaj dhe 12 zona vazhdojnë të jenë pa energji elektrike.

Ndërkaq, në Tiranë, OSHEE njofton se aktualisht janë të paktën 7 zona, kryesisht në zonën e Laprakës, Selitës, ish- uzinës Dinamo, por edhe në Farkë, ku ka probleme me furnizimin me energji elektrike dhe ku punonjësit e saj janë duke kryer punime në terren për të rikthyer normalitetin.

Probleme ka pasur edhe në rajonin e veriut. Në Malësinë e Madhe, stuhia ka rrëzuar 3 shtylla të tensionit të lartë, duke lënë pa energji një pjesë të konsiderueshme të këtij rajoni. Në Kukës janë mbi 10 fshatra pa energji elektrike, ndërsa në Burrel ka avari në 14 fidra, të cilët kanë lënë pa energji 7 zona.

OSHEE bën të ditur se, kushtet janë të rënda në të gjithë territorin e vendit. Sipas saj, në terren ndodhen mbi 1200 punonjës duke punuar për riparimin e defekteve, dhe disa prej linjave janë rivënë në punë. Megjithatë era vazhdon të shkaktojë dëme të reja. Sipas OSHEE-së, të gjitha hidrovoret furnizohen aktualisht me energji dhe po ashtu edhe spitalet në të gjithë vendin.

Top Channel