Durrës, dëme nga stuhitë; përmbytje në Fushë Krujë

22/11/2015 00:00

Erërat e forta të shoqëruara me reshje shiu kanë shkaktuar ndërprerje të energjisë elektrike në një pjesë të mirë të Qarkut të Durrësit.

Nga mesnata, Sukthi, Gjiri i Lalzit, Xhafzotaj, Spitalla, Thumana, Derveni e Borizana kanë pasur ndërprerje energjie. Po kështu dhe hidrovori në Spitallë, ku energjia elektrike është rikthyer dhe po ashtu funksionimi i tij i plotë.

Reshjet e shiut kanë shtuar ndjeshëm prurjet në lumin Zezë dhe për pasojë ka dalje të lumit në Tapizë të Krujës. Fryrje të lumit ka dhe tek ura e Fushë Krujës, po Prefekti i Qarkut të Durrësit, Rolant Xhelilaj deklaron se situata është nën kontroll dhe ekipet e punës në gatishmëri.

Në Portin e Durrësit situata paraqitet më e qetë se një ditë më parë, kur u regjistrua dhe një mbytje anijeje peshkimi në kalatat e portit. Stuhitë me erë e shi janë zhvendosur më në brendësi të tokës.

Kapiteni i porteve, Paulin Ndreu tha për Top Channel se, forca e detit dhe erës ka rënë dhe se tragetet e Barit, përfshirë dhe tragetin “Rapsodi” janë ankoruar në port, ndërsa pritet dhe trageti i linjës Ankona-Durrës.

Sot era fryn në drejtimin jug-perëndim me një shpejtësi 14-15 m/s, ndërsa forca e detit nuk i kalon 6 ballët.

Top Channel