“Jo në emrin tim”, protestë e myslimanëve të Italisë

22/11/2015 00:00

“Not in my name” (“Jo në emrin tim”) ishte slogani i protestave të organizuara nga komuniteti islamik në Itali, për t’i thënë jo terrorizmit e për të dënuar sulmet e javës që shkoi në kryeqytetin francez.

Duke sfiduar shiun, njerëzit mbushën sheshin “Santi Apostoli” të Romës, me pankarta e flamuj në duar. Tubimi nisi me një minutë heshtjeje në nder të viktimave të Parisit.

Nga sa shpjegoi vet presidenti i Konfederates Islamike Italiane, Mustapha Hajraoui, shpresat e organizatorëve ishin që demonstrata të tregojë se për aktet barbare të dhunës nuk duhet fajësuar Islami.

“Këto grupe terroriste po mbjellin urrejtje mes njerëzve dhe mes feve. Besimi nuk ka lidhje me këtë që po ndodh. Ne jemi këtu për të thënë ‘Jo’, sepse feja jonë nuk është fe e terrorizmit, nuk është fe e luftës, por është fe e paqes dhe bashkëjetesës”, tha Mustapha Hajraoui, kryetar i Konfederates Islamike Italiane.

Tubuesit e dënuan me forcë agresonin e një jave më parë, duke këmbëngulur njëkohësisht se personat që qëndrojnë pas akteve të tilla, nuk duhen konsideruar myslimanë.

“Nuk janë myslimanë njerëz të tillë. Ata thërrasin vërtet ‘Allahu Akhbar’ e flasin arabisht, por myslimanë nuk janë. Sepse feja ime nuk thotë të dalësh e të vrasësh njerëz të pafajshëm, asnjë fe nuk e thotë këtë”, tha Rihabb Abbas, protestues.

“Vetëm një gjë dua të them; sulme si këto që po ndodhin në të gjithë botën janë të dënueshme. Por Islami nuk ka asnjë lidhje me to. Këta njerëz, këta terroristë, këta barbarë nuk kanë asnjë lidhje me Islamin. Kush kërkon të vrasë në emër të fesë gabon rëndë. Një njeri i tillë nuk ka komb, nuk ka fe, nuk ka shtetësi”, tha Mohamed Essaket, protestues.

E ndërsa pjesa më e madhe e manifestuesve përsërisnin në kor “Jo Shtetit Islamik”, “Jo terrorizmit” dhe “ISIS-i është një kancer në trupin e Islamit”, një prej pjesëmarrësve në tubim, i cili në Itali ka jetuar prej 11 vitesh, shpjegoi për “Corriere della Sera”-n se kishte dalë në shesh edhe për një arsye tjetër.

“Unë dua të mësoj, – thotë ai, – se ku i gjejnë armët këta njerëz? Ua shesin apo ua dhurojnë? A ia bëjnë europianët vetes një pyetje të tillë?”, shton ai.

Militantët e Shtetit Islamik morën 130 jetë njerëzish në sulmet e mbi një jave më parë në Paris, ndërsa këtë të premte, persona të armatosur të lidhur me Al Kaedën vranë 19 vetë gjatë mësymjes së njërit prej hoteleve më të famshëm të kryeqytetit të Malit, Bamako, i cili frekuentohej përgjithësisht nga të huajt.

Top Channel