Koncesioni Durrës-Kukës, ofertat e para mund të mos prodhojnë fitues

22/11/2015 00:00

Ministri i Transporteve, Edmond Haxhinasto nuk e përjashtoi mundësinë, që tenderi për dhënien me koncesion të rrugës Durrës-Kukës të dështojë.

I pyetur nga gazetarët, Haxhinasto tha se ofertat do të shqyrtohen, nëse përmbushin apo jo interesin publik.

“Kjo do të thotë që do t’i vlerësojmë siç duhet ofertat që janë paraqitur, duke i vlerësuar në thellësi dhe të shikojmë nëse janë në interesin publik apo jo. Në qoftë se do t’i shikojmë që nuk janë me interes publik, sigurisht që nuk jemi të detyruar që atë rrugë ta japim me koncesion. Gjithmonë ekziston mundësia e anulimit të tenderit, nëse nuk është në interesin publik”, tha ministri Haxhinasto.

Kjo nuk është tentativa e parë për dhënien me koncesion të rrugës Durrës-Kukës. Edhe në të kaluarën, qeveria ka tentuar ta japë me koncesion mirëmbjatjen e kësaj rruge te privatët, por ka dështuar.

Tenderi i fundit për koncesionin u zhvillua rreth 3 javë më parë dhe në të dorëzuan ofertat dy kompani. Oferta e parë ishte e një grupi kinez të quajtur “China Construction”, ndërsa ajo e dyta i përkiste një konsorciumi mes “Vendeka Bilgi” dhe kompanisë “Salillari”.

Ministria e Transporteve pati lajmëruar se do të shpallte fituesin brenda pak ditësh, por edhe pse kanë kaluar mbi 3 javë, ende nuk ka asnjë rezultat zyrtar.

Top Channel