Marrëveshja e arsimit; Tirana, Prishtina dhe Shkupi nënshkruajnë programin e përbashkët ekzekutiv

22/11/2015 17:30

Në Muzeun e Alfabetit të gjuhës shqipe në Manastir, ministrat e Arsimit të Maqedonisë, Shqipërisë dhe Kosovës, Abdilaqim Ademi, Lindita Nikolla dhe Arsim Bajrami, kanë firmosur Programin e Përbashkët Ekzekutiv, që buron nga marrëveshja në sferën e arsimit dhe shkencës që u arrit mes tre vendeve pesë muaj më parë në Vlorë.

Sipas ministres Nikolla, ky program do të mundësojë jetësimin e projekteve dhe propozimeve të përbashkëta në shumë fusha, do të ndikojë në zhvillimin e arsimit dhe shkencës, si edhe në arritjen e standardeve evropiane të dijes.

“Është një plan ekzekutiv që mundëson një komunikim të ri, por jo vetëm në rezultate të përbashkëta të veprimit, që lidhen me programe të përbashkëta studimore në institucionet e arsimit të lartë në Shqipëri dhe në Maqedoni, me shkëmbime studentësh nga Shqipëria dhe Maqedonia si dhe mobilitet të pedagogëve të institucioneve të arsimit të lartë, mundësi të reja për realizimin e kuadrit për anëtarësimin e dy vendeve tona në programin ‘Horizont 2020’ të BE-së”, tha Nikolla.

Firmosja e kësaj marrëveshje në përvjetorin e 107 të Kongresit të Manastirit u vlerësua si moment i veçantë për të gjithë shqiptarët. Por, nga ana tjetër, ministrat e tre vendeve e gjetën në gjendje të rëndë godinën e Muzeut të Alfabetit të gjuhës shqipe.

Fasada e kësaj ndërtese me vlera të larta kombëtare në disa pjesë është rrënuar, oborri është i mbushur me mbeturina kurse hyrja e muzeut ndodhet në mes të disa dyqaneve.

Megjithatë, kjo gjendje mund të përmirësohet nëse realizohet projekti për restaurimin e muzeut i hartuar nga Ministria e Kulturës në Shqipëri.

“Instituti i monumenteve të kulturës në Shqipëri, këto ditë ka hartuar projektin e restaurimit të këtij objekti mbi bazën e kritereve shkencore duke ruajtur autenticitetin e vet objektit dhe njëkohësisht duke i dhënë edhe vlerat që meriton ky objekt”, u shpreh Zef Cuni, zëvendësministër i Kulturës në Shqipëri

107 vjetori i Alfabetit të Gjuhës Shqipe është shënuar me aktivitete të shumta në Manastir dhe në disa qytete tjera. Me rastin e këtij përvjetori nuk kanë munguar as urimet e drejtuesve të politikës shqiptare në Maqedoni.

Top Channel