Interi rimerr kreun me goleadë

22/11/2015 22:38

Interi është rikthyer në krye të Serisë A, pasi ka mundur me rezultat të pastër, 4-0 Frosinonen mbrëmjen e së dielës në “San Siro”. Fitorja e parë me katër gola për ta në këtë sezon, edhe pse tashmë janë të vetëm në krye të klasifikimit.

Zikaltrit morën një trepikësh të lehtë ndaj skuadrës së ngjitur këtë sezon mes më të mirëve të Serisë A. Jonathan Biabiany ishte autor i golit të parë të takimit në minutën e 29. Ndërsa Icardi dyfishoi shifrat 8 minuta pas nisjes së pjesës së dytë. Në dhjetë minutat e fundit të ndeshjes erdhën edhe dy golat e tjerë, ku shënues ishin Murillo dhe Brozovic.

Kjo ishte një fitore mjaft e rëndësishme edhe pse ndaj një kundërshtari inferior, pasi i rikthen ata në krye të Serisë A me 30 pikë. Ndjekësit e Napolit dhe Fiorentinës ndodhen në kuotë të barabartë pikësh, me nga 28.

Javën e ardhshme, Interi do të udhëtojë për në transfertën e vështirë të Napolit.

Top Channel