Bruksel, 19 operacione anti-terror; 16 të arrestuar

23/11/2015 08:40

Plot 19 operacione policie u zhvilluan njëkohësisht për disa orë në 7 komuna të ndryshme të Brukselit, ndërkohë që 3 të tjera u kryen në Sharlerua.

Forcat e policisë ndaluan 16 persona në tërësi, por jo të kërkuarin kryesor, Salah Abdeslam, i cili dyshohet të jetë larguar me veturë drejt Gjermanisë natën e kaluar.

Pas mesnate, Prokuroria Federale dha disa detaje mbi operacionet e kryera në Belgjikë dhe falenderoi median e qytetarët, që respektuan thirrjen e autoriteteve për të mos publikuar asgjë në rrjetet sociale mbi veprimet e forcave speciale deri në përfundim të operacioneve.

Të 430 shkollat e Brukselit janë mbyllur deri në rikthimin e gjëndjes normale në kryeqytetin europian, ndërsa vijojnë të jenë të mbyllura metrotë dhe ato linja trami, që kanë segmente kalimi nën tokë, si dhe të gjitha objektet kulturore e sportive, ku mund të grumbullohen njerëz.

Ndërkohë, puna rutinë për të ofruar pjesën dërrmuese të shërbimeve  vazhdon. Autoritetet belge këshillojnë banorët të jenë të kujdesshëm, të evitojnë transportin publik e stacionet e trenit, ndërsa aeroporti i Brukselit funksionon normalisht.

Për shkak të nivelit maksimal të alarmit të kësaj fundjave, autoritetet belge anuluan festën parashikuar të komunitetit shqiptarë pranë komunës Molenbeek dhe mbetet për t’u parë nëse do të realizohen aktivitetet e kësaj jave të lajmëruara nga ambasada shqiptare me rastin e 28-29 Nëntorit, për shkak të kësaj situate në vend. 

Top Channel