Tenis, Djokovic i pathyeshëm; fiton edhe ATP Tour Finals

23/11/2015 00:00

Novak Djokovic hakmerret ndaj Roger Federer për humbjen në fazën e grupeve të ATP Tour Finals, duke e mundur zviceranin në finalen e këtij aktiviteti, që e fitoi për të katërtën herë radhazi dhe të pestën në total në karrierën e tij.

Në finalen e zhvilluar në “O2 Arena” të Londrës, tenisti serb tregoi një tjetër nivel loje në krahasim me atë që zhvilloi ndaj Federerit në ndeshjen e tyre në grup, duke e mposhtur 34-vjeçarin 2-0 me sete (6-3 dhe 6-4) në vetëm 1 orë e 30 minuta lojë. 

Tashmë, bilanci në ndeshjet direkte mes Djokovic dhe Federer është në ekuilibër të plotë, me nga 22 fitore secili. E njëjta gjë është edhe në përballjet mes serbit dhe spanjollit Nadal, me 23 fitore secili.

Tenisti serb ishte pothuajse i pagabueshëm këtë radhë, ndërkohë që gjërat ia bëri akoma më të lehta edhe vetë Federer, i cili bëri shumë gabime që nuk janë të zakonshme për këtë tenist.

Viti 2015 ishte pothuajse perfekt për numrin 1 të renditjes botërore. Djokovic ishte i pathyeshëm duke i fituar të gjashtë turnetë Masters të këtij viti dhe 3 tituj Grand Slam-i (Australian Open, Wimbledon dhe US Open), për ta çuar në 10 në total numrin e tyre. I vetmi që e pengoi Djokovicin të fitonte të gjithë turnetë Gran Slam të vitit ishte Stanislav Wawrinka, me zviceranin që e mundi në finalen e Roland Garros, i vetmi trofe që i mungon Djokovicit.

Top Channel