Hollande e Cameron, takim në “Bataclan”-in e sulmeve terroriste

23/11/2015 11:05

Me shtrëngimin e duarve përpara sallës së koncerteve “Bataclan” në Paris, shefi i Elizesë Francois Hollande dhe kryeministri britanik, David Cameron, treguan se dy vendet e tyre qëndrojnë të bashkuar përballë terrorizmit, ndërsa vet ndalesa në atë që ishte shënjestra kryesore e sulmeve të 13 nëntorit ishte një homazh për viktimat e masakrës.

“Unë dhe Presidenti Hollande jemi të palëkundur në vendosmërinë tonë për mposhtjen e atij kulti të vdekjes, që është ISIS-i sot”, ishin fjalët e Cameron përpara takimit të nivelit të lartë në Paris, të fokusuar te strategjia kundër Shtetit Islamik në Siri e Irak dhe perspektiva e koalicionit ndërkombëtar.

Dy udhëheqësit vendosën secili nga një trëndafil në krah të tufave pafund të luleve, që njerëzit kanë lënë në vendin ku humbën jetën 89 vetë.

Hollande, me atë rast pohoi se sulmet ajrore franceze kundër objektivave të ISIS-it në Siri do të intensifikohen. “Do t’i shtojmë goditjet tona, – ishte komenti i kreut të Elizesë, – dhe do të përzgjedhim ato shënjestra, që do ta dëmtojnë sa më shumë të jetë e mundur ushtrinë e terroristëve”, shtoi ai.

Presidenti francez nis kësisoj një javë përpjekjesh diplomatike për të grumbulluar sa më shumë mbështetje, me qëllim shkatërrimin e grupit xhihadist. Pas Cameronit, të martën ai do të takohet me Presidentin amerikan Barack Obama; të mërkurën me Kancelaren gjermane Angela Merkel, e të enjten do të bisedojë me Presidentin rus, Vladimir Putin.

Qeveria franceze sqaroi se, duke filluar nga sot, aeroplanmbajtësja “Charles de Gaulle” do të jetë operative në Mesdhe dhe gati të veprojë në çdo moment kundër militantëve të Shtetit Islamik në Siri. Parisi zyrtar po ndjek me vëmendje zhvillimet në Belgjikë, ku blicet e shumta policore rezultuan me 16 arrestime, por sërish i shumëkërkuari i sulmeve të mbi një jave më parë, Salah Abdeslam vazhdon të mbetet në arrati. Vëllai i tij, Mohammed foli të dielën në një televizion belg, për t’i kërkuar Salahut të dorëzohej.

“Është më shumë se shpresë, është bindje e imja se Salah do të tregohet i zgjuar. Në momentin e fundit, ai vendosi të tërhiqej dhe të mos e bënte atë për të cilën ishte nisur. Ne sot nuk i njohim të gjithë elementët e hetimit, nuk e dimë nëse ai ka vrarë njeri. Unë dua t’i them se, ne nuk kemi frikë, për këtë arsye dhe po flasim me median sot. Ne duam që ai të dorëzohet. Kështu mund të na japë përgjigjet që kërkojmë ne, familja e tij, por edhe familjet e viktimave apo të të gjithë të tjerëve, që po na shikojnë në këtë moment. Më mirë ta shohim Salahun në burg, sesa në varreza”, tha Mohammed Abdeslam, vëllai i Salah Abdeslam.

Deri tani, autoritetet belge kanë vënë zyrtarisht nën akuzë 3 persona për përfshirje në sulmet e Parisit, përgjegjësinë e të cilave e morën militantët e Shtetit Islamik. Informacione të reja të dala në dritë së fundi tregojnë se, një tjetër agresor kishte kaluar nga Greqia në fillim të tetorit, i regjistruar me emrin M al-Mahmod.

Policia franceze beson se ai është kamikazi i tretë i vetëvrarë në afërsi të “Stade de France” dhe përmes një lajmërimi në televizion kërkon nga publiku çdo informacion, që mund të posedohet mbi këtë individ.

Top Channel