Të përfitosh nga përvoja franceze

23/11/2015 00:00

Nga Melina Kabo – Gjykata e Llogarive të Francës është një nga institucionet më prestigjioze të kontrollit shtetëror që mbron interesat publike, duke kontrolluar mirëmenaxhimin e buxhetit të shtetit, respektimin e ligjshmërisë nga administrata publike dhe performancën nga administrata publike e institucionet shtetërore. Marrëdhëniet e Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH) me Gjykatën e Llogarive në Republikën Franceze, janë në një nivel të mirë.

Ka shkëmbime të herëpashershme të përvojave të punës, si dhe pjesëmarrje të ekspertëve shqiptarë të auditit nga KLSH-ja në konferencat shkencore dhe seminaret trajnuese që Gjykata e Llogarive organizon në mënyrë të vazhdueshme. Pavarësisht nga dallimet që ekzistojnë, sepse institucioni francez është në nivel gjykate, ndërsa KLSH-ja ka një tjetër formë organizimi, është e mundur të përfitohet nga përvoja franceze.

Një aspekt ku mund të mësohet është se si i ndërton marrëdhëniet GJLL (Gjykata e Llogarive) me Asamblenë Kombëtare (Parlamentin francez). Raportet mes tyre janë tejet dinamike e të përcaktuara në atë që njihet si “Plani i ndërhyrjes”. Në këtë këndvështrim, Parlamenti respekton me korrektesë ligjore pozicionimin institucional dhe historik të gjykatës, si dhe kuadrin ligjor të ndihmës së gjykatës për Parlamentin; respekton praktikat e punës dhe marrëdhëniet e ndërvarura, vlerëson perceptimin reciprok për punët që kryejnë secili institucion. Vendimet e GJLL dhe rekomandimet e saj janë të një shkalle të tillë besueshmërie që rrisin ndjeshmërinë e publikut dhe në këtë mënyrë ndihmohet të veprojë me efektivitet edhe kontrolli i shoqërisë mbi institucionet e zgjedhura apo të emëruara.

Kontrolli nga Parlamenti mbi ekzekutivin është i lidhur me misionin e ndihmës së GJLL për Parlamentin. Këto raportime janë të një rëndësie shumë të lartë për jetën institucionale të shoqërisë franceze. Mbështetur thellësisht mbi eksplorimin e raporteve ekzistuese, mbi auditimet dhe veprimet e kryera, parlamentarët marrin informacionet e nevojshme. Raportuesit nuk disponojnë asnjë pushtet specifik në këtë kuadër, ata thjesht informojnë. Në të kundërtën, disa nga deputetët, për arsye të funksioneve të tyre, përftojnë mjete legjitime të hetimit shumë të rëndësishëm.

Ky shërbim që gjykata i bën Parlamentit quhet “misioni ndihmues i gjykatës”, që është konsakruar nga rishikimi që iu bë Kushtetutës në vitin 2008. Që nga viti 2004, Gjykata e Llogarive gjithashtu ka prerogativat në informimin e Parlamentit për çështjet e financave sociale. Gjykata është parë gjithashtu si një institucion, të cilit i është besuar misioni i ndihmës së drejtpërdrejtë mbi të gjitha çështjet relative në aplikimin e ligjeve të financimit për sigurimet sociale.

Mënyra e raportimit të detajuar dhe në disa raste gjatë vitit sipas objektit, është një përvojë pozitive që mund të aplikohet edhe në vendin tonë në marrëveshje me Parlamentin, çka do të ndihmonte në ndjekjen më të mirë të problematikave që ka në juridiksionin e vet KLSH-ja në Shqipëri. Edhe te ne, çështja e sigurimeve shoqërore që ka grumbulluar shumë problematika ndër vite do të mund të gjente zgjidhje të qëndrueshme dhe afatgjata, duke përmirësuar bashkëpunimin me institucionin e KLSH-së sipas modelit të Gjykatës së Llogarive në Francë.

***

Një tjetër përvojë e GJLL-së është organizimi i decentralizmit të aktivitetit në të gjithë territorin e Francës, bazuar në Dhomat Rajonale dhe Territoriale të Llogarive. Një veprimtari e tillë mbështetet në atë që njihet si aplikimi ARIANE. Ky aplikim është realizuar duke përdorur dhomat rajonale dhe territoriale të llogarive dhe trajton ndjekjen e procedurave të kontrollit thelbësor.

Ajo ka të bëjë me mënyrën se si ekipi i kontrollit mund të përftojë të gjithë informacionin mbi funksionimin e kontrolleve. Plani ARIANE bazohet në pesë pjesë. Pjesa e parë ka të bëjë me lidhjet me planin ARIANE. Pjesa e dytë, aktorët pjesëmarrës të planit; e treta, organizimi dhe shpërfaqja; e katërta, funksionet thelbësore të ekipeve të kontrollit dhe pjesa e pestë, funksione të tjera të ARIANE në dispozicion të ekipit të kontrollit.

Le t’i shikojmë këto pjesë një e nga një. Mundësitë e lidhjes me planin ARIANE janë të shumta. Ka tekste informative që japin instruksione se si realizohen këto lidhje. Lidhjet hidhen edhe në faqen kryesore të intranetit. Tek aktorët pjesëmarrës duhet të mbahet në vëmendje ekipi i kontrollit që dorëzon një raport dhe komandon grupet e punës.

Pjesë e punës është regjistri që përmban këta elementë: Regjistron nisjen e një kontrolli. Regjistron paraqitjen e një raporti. Njofton për një raport, një aktakuzë, një urdhër ose një aktgjykimi. Futja në vendimet e paramenduara. Krijimi i një seance të qëllimshme. Regjistrimi i llogarive. Hyrja në programin e dhomave. Përditësimi i të dhënave për ndryshimet në thesare (buxhete), si dhe ndryshimet në kontabilitete.

Në këtë fazë bën pjesë edhe shërbimi arkival që përmbledh: regjistrimin e llogarive hyrëse dhe procedimin sipas atributeve për rimbursimet. Një tjetër aktor është Ministria Publike që ka fuqi ligjore të heqë një akuzë, të rrëzojë konkluzionet që nuk e bindin dhe të sigurojë komunikimet administrative në dialogun ndërinstitucional.

Në pjesën e tretë, që lidhet me organizimin dhe shpërfaqjen, programi është i organizuar në module të ndryshme, si organizmat, llogaritë, kontrollet, gjykimet, recetat etj. Ballafaqimi realizohet edhe me WEB-XEMELIOS për t’u konsultuar edhe duke naviguar në administrimin e llogarive. Në fazën e katërt si edhe përmendëm, kemi funksionet e domosdoshme të ekipeve të kontrollit.

Ato listohen si më poshtë: grupet e kontrollit, konsultimet dhe rikuperimet në administrimin e llogarive, konsultime për të dhënat e përgjithshme dhe shifrat, domosdoshmëritë e kontrollit juridik, këshillimi historik (është fjala me të dhënat e mëparshme) i kontrollit në një organizëm. Rikuperimi i informacionit në një organizëm. “Moduli organizëm” lejohet të njohë informacionin e përgjithshëm në lidhje me kolektivin, si edhe kontrollin e fundit që dhoma lokale ka kryer. Këtu përfshihen kontrolli i fundit juridik dhe rishikimi i menaxhimit të fundit.

Skeda për shifrat e dhëna lejon konsultimin e shumave të buxhetit principial dhe buxheteve suplementare. Është e njohur që këto të dhëna nuk merren përmes regjistrit, por janë të injektuara në mënyrë direkte dhe gjykata e llogarive i merr përmes një ballafaqimi me sistemin DGFIP. Vetëm të dhënat e llogarive nën kontabilitet “Helios” janë në dispozicion. Mbi cilësinë e kontrollit vjetor sipas programit mbahet në vëmendjen që nëse kontrolli është kryer në vitin 2014, ai të raportohet në vitin 2015. Për rishikimin e menaxhimit, si edhe për kontrollin juridik, modeli ARIANE jep gjithnjë një informacion me një gjuhë të veçantë tipike për këtë lloj kontrolli.

Etapat e një kontrolli sipas modelit ARIANE janë këto. Në pritje të lidhjes. Kjo tregon se kontrolli është i parashkruar në programin e vitit, porse nuk është bërë ende objekt i një letre njoftuese për nisjen e kontrollit. Faza nistore ose faza e parë si edhe quhet ndryshe, përmbledh shqyrtimin e menaxhimit. Ajo ka të bëjë me angazhimin e kontrollit.

Një kontroll juridik është faza që ka të bëjë me angazhimin e vazhdueshëm të kontrollit deri në marrjen e vendimit. Faza e dytë e kontrollit nis me shqyrtimin e menaxhimit që nga koha e kontrollit të mëparshëm deri në kontrollin që nis të kryhet. Kontrolli juridik është faza e nënshtrimit ndaj kontrollit deri në njoftimin e gjykimit.

Pjesa e pestë dhe e fundit, ka të bëjë me funksione të tjera të planit ARIANE në dispozicion të ekipeve të kontrollit. Kjo periudhë përmbledh: konsultimin e vendimeve të rezervuara, konsultim për punë e raportuesve dhe verifikuesve, konsultim për urdhrat dhe gjykimet. P.sh., konsultimet për vendimet e rezervuara kërkojnë që: moduli “vendime” lejon për të konsultuar vendimet e marra paraprakisht.

Mundet të kenë efekte në kërkimet bazuar te multikritere të organizimit, si tek aktorët, tek urdhrat dhe gjykimet. Një tjetër aspekt është: informimi në lidhje me vendimet e marra mbi një aktor të jashtëm (kontabël fjala vjen). Moduli i një aktori të jashtëm të lejon të konsultohesh me historikun e vendimeve të marra, p.sh. në lidhje me kontabilitetin. Kurse moduli i “aktorit të brendshëm” lejon për të menaxhuar lëvizjet e personelit të brendshëm për të ndjekur punët e tyre.

Kjo përvojë e GJLL-së së Francës për një organizim mbi baza rajonale dhe territoriale mund të merret si model që edhe organizimi KLSH-së të shtrihet në të gjithë territorin me organizim qendrash rajonale të KLSH-së. Në këtë mënyrë, kontrolli qendror kombinohet me një rrjet të shtrirë në mënyrë horizontale dhe do të krijonte mundësinë e një kontrolli permanent dhe me një frekuencë më të lartë.

Organizimi i ri territorial dhe administrativ i vendit, nevojat për një menaxhim më eficient të financave publike dhe në nivel lokal, do të ishin në një përputhje më adekuate në bashkëpunimin me KLSH-në nëse do të zbatonin modelin francez të aplikimit ARIANE. Të trajnohesh në Gjykatën e Llogarive në Francë është fat më shumë se përvojë. Unë e pata një të tillë, ku mora pjesë si audituese e performancës në KLSH.

Top Channel