Tiranë, prezantohet modeli i ri i shërbimit ndaj klientit

23/11/2015 13:10

Në Tiranë u prezantua këtë të hënë modeli i ri i shërbimit ndaj qytetarëve në sportelet e institucioneve shtetërore.

ADISA, Qendra e Ofrimit të Shërbimeve Publike të Integruara, ka nisur menaxhimin e sporteleve të zyrave të regjistrimit të pasurive të paluajtshme në Tiranë, sipas një modeli krejtësisht të ri.

Bëhet fjalë për standarde dhe procedura të përcaktuara qartë dhe me cilësi të lartë shërbimi, që konsiderohet një hap i rëndësishëm i reformës së shërbimeve publike.

Kjo reformë ka marrë tashmë edhe mbështetjen financiare të Bankës Botërore dhe synon të modernizojë shërbimet publike në vend, sipas parimeve të kujdesit ndaj klientit.

Kjo do të arrihet përmes thjeshtimit dhe standardizimit të procedurave administrative, zgjerimit të hapësirave për marrjen e informacionit të shpejtë e të saktë, ngritjes së mekanizmave për mbledhjen e mendimeve dhe vlerësimeve të qytetarëve për shërbimet, në mënyrë që të sigurohet përmirësimi në vazhdimësi i tyre.

Top Channel