SHBA vazhdon t’u shesë armë sauditëve

23/11/2015 13:15

Edhe pse Amerika e di ndikimin e Arabisë Saudite tek islamistët radikalë, vazhdon të pajisë partnerët në Rijad me teknologji moderne lufte. “Deutsche Welle” përmend biznesin më të fundit me vlerë prej më shumë se një miliardë dollarësh, atë të shitjes së 10.000 bombave konvencionale të kontrolluara me lazer që thyejnë betonin.

“Ne kemi një marrëveshje të mundshme me Arabinë Saudite. Bëhet fjalë për municione ajër-tokë dhe pajisjet shoqëruese. Kostot janë 1.29 miliardë dollarë”, thotë Mark Toner, nga Departamenti Amerikan i Shtetit.

Edhe pse ka mundësi që Kongresi të shprehë shqetësimet e tij, besohet se tradita nuk do të pengohet dhe marrëveshja do të aprovohet.

Peter Kuznick, historian në “American University” në Uashington, thotë se biznesi i armëve me Arabinë Saudite është gjithmonë një pakt me djallin.

“Më e keqja është se Barack Obama i ka tejkaluar të gjithë presidentët e mëparshëm me shitjen e armëve Arabisë Saudite. Në vitet e fundit ne kemi shitur armë për rreth 100 miliardë dollarë në Arabinë Saudite. Më shumë se me presidentin George W. Bush”, thotë ai.

Sipas Kuznick, Amerika vepron kështu edhe pse e di se atentatorët e 11 shtatorit ishin kryesisht shtetas sauditë dhe se shumica e aktiviteteve ekstremiste pas vitit 2001 kanë qenë shpesh të kontrolluara dhe financuara nga Arabia Saudite.

Obama i mëshon përkrahjes së Rijadit për çështje të tilla si marrëveshja bërthamore e Iranit dhe kriza në Siri, por çmimi për këtë është tepër i lartë, nëse konsideron viktimat civile të shkaktuara në Jemen, ku ushtria po bombardon prej muajsh rebelët shiitë huti, lidhjet terrroriste të vështira për t’u zbuluar dhe problemet në çështjen e të drejtave të njeriut.

Peter Kuznick thotë se “ISIS-i është nje armik i tmerrshëm, por sipas tij nuk duhet harruar se sauditët vitin e kaluar prenë kokat e më shumë njerëzve se Shteti Islamik”.

Top Channel