Kombëtarja e femrave grumbullohet për sfidën me Francën

23/11/2015 13:25

Kombëtarja shqiptare e futbollit të femrave do të luajë ndeshjen e saj të radhës në eliminatoret e Euro 2017. Kundërshtarja e skuadrës sonë kuqezi do të jetë pikërisht Franca, ndaj së cilës do të luhet ditën e premte në stadiumin “Qemal Stafa”. Trajneri i skuadrës sonë përfaqësuese, Altin Rraklli, tashmë ka publikuar edhe listën e futbollisteve të grumbulluara për këtë sfidë.

Kështu, për në portë janë thirrur Gjyli, Zani dhe Rexhepi, ndërsa mbrojtja do të përbëhet nga Franja, Memedov, Proto, Maliqi, Bajraktari, Lipe dhe Gjini. Për repartin e mesfushës Rraklli ka zgjedhur Morinën, Seranajn, Docin, Lulajn, Domin, Krubogajn dhe Selimin. Ndërsa sulmin do ta marrin përsipër Velaj, Hashani, Jashari dhe Gjergji.

Kombëtarja jonë e futbollit të femrave gjendet në grupin e tretë të këtyre eliminatoreve dhe pozicionohet e fundit pasi nuk ka mundur dot të marrë asnjë pikë në 2 ndeshjet e para të saj. Krejtësisht e kundërta ndodh me ekipin e Francës, që është në krye me 6 pikë të plota.

Top Channel