Zbarkimi i ushtrisë, banorët e Brukselit të frikësuar

23/11/2015 00:00

Trupa ushtarake shtesë u dërguan në lagjen Molenbeek të Brukselit pas kërkesës së kryebashkiakut të qytetit për më shumë siguri. Kjo zonë është kthyer tashmë në sinonimin e problemeve pasi gjithmonë e më shumë lakohet si vatra ku u organizuan sulmet e përgjakshme të 13 nëntorit në Paris.

Një prej kamikazëve vinte pikërisht prej andej, i dyshuari si truri i grupit, i vrarë gjatë blicit të policisë franceze në Saint Denis, Abdelhamid Abaaoud, ishte dhe ai nga kjo lagje ku banonte po kështu Salah Abdeslam, njeriu më i kërkuar sot prej forcave belge të rendit.

Belgjika është kthyer në fokusin e hetimeve mbi ngjarjet e Parisit, pasi u bë e qartë se masakra ishte organizuar në Bruksel, e më saktë në lagjen e varfër Molenbeek. Banorët e qytetit kozmopolit që strehon institucione të rëndësishme të BE-së po përjetojnë ditë ankthi.

“Jam tmerrësisht i shqetësuar. Jetoj në Bruksel prej 20 vjetësh, por nuk e kam parë kurrë një gjë të tillë. Po shëtisja qëparë, kur më ndaloi policia e më këshilloi ta shmang sa të mundem lëvizjen nëpër rrugë. Kjo më fut frikën, më ngjall panik”, thotë një prej tyre.

“Po. Mbizotëron një klimë pasigurie që fatkeqësisht, për mendimin tim, nuk do të kalojë shpejt”, shprehet një tjetër.

“Pyetja është sa do të zgjasin këto masa. Dakord, mund të vazhdojmë kështu për një javë, pastaj për dy, vetëm se po zgjati më shumë do të krijohen goxha probleme, siç është rasti i metrosë. Është problem i madh ky në Bruksel, ndaj dhe ne tani rrimë e pyesim veten sa do të vazhdojë kjo situatë”, thotë një tjetër banor.

Frika është e pranishme tek të gjithë. Davide Patteri, një italian që jeton në Bruksel shkruante në Twitter: “Duke ngrënë jashtë, por policia sapo mbylli të gjithë rrugën dhe tani asnjëri këtu nuk del dot nga restoranti”.

Me qëllim që të mos pengohen përpjekjet e forcave të sigurisë, autoritetet i kërkuan gazetarëve dhe përdoruesve të mediave sociale në vend të mos postojnë informacione që mund të lidhen me lëvizje të policisë.

Belgët jo vetëm reaguan pozitivisht ndaj këtij apeli, por për të ndihmuar në fshirjen e hashtagut “brukseliiblinduar”, filluan të hidhnin në faqet e tyre fotografi macesh.

Top Channel