Meta: LSI goditet për arsye politike. Asnjë nuk do të gëzojë mbrojtje ndaj korrupsionit

23/11/2015 00:00

Lëvizja Socialiste për Integrim (LSI) mblodhi Komitetin drejtues Kombëtar, nga ku kreu i kësaj force politike, Ilir Meta përshëndeti marrëveshjen e dekriminalizimit, për të cilën tha se ky proces është i vonuar.

“Po shpreh kënaqësinë sepse është një proces që duhej të kishte përfunduar me kohë, e më në fund, tashmë po ecim drejt ekzekutimit të fjalës dekriminalizim, në kuptimin e heqjes së saj nga temat e diskutimeve dhe bisedimeve për vendin tonë, sepse nuk mendoj se qytetarët tanë e meritonin këtë problematikë. Është një detyrim i të gjithëve ne, që të rrisim standardet e përfaqësimit publik në Parlament, në administratën shtetërore publike, si dhe kudo”, tha Ilir Meta.

LSI-ja, – tha Meta, – nuk ka qenë dhe nuk mund të pretendojë të jetë një forcë e imunizuar nga fenomenet e korrupsionit. Sipas tij, ka një përpjekje për të dëmtuar imazhin e kësaj partie pa të drejtë dhe për arsye politike.

Për këtë, Meta paralajmëroi të gjithë anëtarët e LSI-së se, askush nuk do të gëzojë mbrojtjen më të vogël.

“Pa mëshirë ndaj korrupsionit, ndaj cilitdo. E në radhë të parë, kur këto do të shfaqen te përfaqësues të caktuar të Lëvizjes Socialiste për Integrim. Nuk ka nevojë LSI-ja për t’u vënë gjoba bizneseve, për t’u krijuar pengesa qytetarëve në shërbime, për t’i zhvatur ata në mënyrë të shëmtuara dhe të urryera. Do të krijojmë dënimin maksimal të cilitdo individi, i cili jo vetëm s’do të ketë mbrojtje politike nga LSI, por do të kërkojmë të bëhet shembull”, shtoi më tej kreu i LSI-së, Meta, njëkohësisht kryeparlamentar i vendit.

Kreu i LSI-së Meta, duke u ndalur në diskutimet për projektbuxhetin u shpresh se, grupi parlamentar dhe ekspertët do të angazhohen maksimalisht.

“Me realizëm dhe përgjegjshmëri të kontribuohet pë rçdo përmirësim të mundshëm, në mënyrë që në fund fare, brenda objektivave makroekonomike, të miratohet një buxhet sa më i përgjegjshëm dhe sa më social”, përfundoi fjalën e tij, Meta.

Top Channel