Gjykata e Lartë vendos arrest shtëpie për Armando Prengën

23/11/2015 00:00

Gjykata e Lartë ka ndryshuar masën e sigurisë për deputetin tashmë të arrestuar Armando Prenga. Në seancën e kësaj të hëne u vendos si masë sigurie arrest shtëpie.

Vendim i trupës gjyqësore u dha pas këmbënguljes së avokatëve se ai nuk paraqiste rrezikshmëri dhe se të dhënat hetimore të prokurorisë nuk ishin bindëse.

Nga ana e tyre, prokurorët e Prokurorisë së Përgjithshme u shprehën se deputeti Prenga dyshohet për tre vepra penale, që janë “armambajtje pa leje”, “plagosje” dhe “kanosje”.

Por avokatët këmbëngulën se nuk ka asnjë provë në dosje që të vërtetojë se deputeti ishte i pranishëm në komisariat, në momentin kur mbetën të plagopsur disa persona.

Ndërkohë që për armën e gjetur ata theksuan se ajo është me leje dhe se deputeti ka qëlluar për shkak të vetëmbrojtjes, si pasojë e sulmit nga shtetasi Gjokë Cali. Për familjen Cali prokuroria e ka referuar dosjen për hetimë të mëtejshme në Kurbin.

Në fund të seancës, avokati Maks Haxhia tha se ndryshimi i masës së sigurisë erdhi pas kontradiksionit të akuzës në pozicionin e tyre në lidhje me provat. “Gjykata vlerësoi se në ecurinë e deritanishme të procesit të hetimit nuk ekzistojnë arsye që të rrijë”, tha Haxhia. 

Top Channel