Pr.buxheti, qeveria: Garanton mirëqënien; PD: Nuk parashikon rritje pagash

23/11/2015 00:00

Për ministrin e Financave, Shkëlqim Cani, buxheti i vitit të ardhshëm mbështet ekonominë dhe nxit mirëqënien e familjeve.

“Ky është një buxhet me sens të theksuar zhvillimi dhe mirëqënieje për qytetarët. Rritja reale ekonomike për vitin 2016 është 3.4 për qind, i treti vit radhazi me rritje reale ekonomike”, deklaroi Cani.

Por opozita tha se ky është buxhet i varfërisë, i cili braktis ekonominë dhe ngrin përfitimet për qytetarët.

“Inflacioni do jetë 2.5 për qind, zero rritje pagash. U bë viti i tretë që për të gjitha kategoritë e administratës publike rritja është zero. Ndërsa pensionet rriten me 1.1 miliard, aq është kontigjenca, që do të thotë me 0.8 për qind”, replikoi ish-ministr Ridvan Bode.

Por politikat e pagave dhe pensioneve nuk ishin çështjet e vetme që ngjallën përplasje. Opozita tha se vitin e ardhshëm qeveria do ta përkeqësojë sërish mbledhjen e taksave.

“Nëse rritja reale dhe deflatori i programuar nga qeveria shkojnë në 6 për qind, rritja që programon qeveria në krahasim me buxhetin e rishikuar të vitit 2015 është vetëm 4.9 për qind”, nënvizoi Bode.

“Të ardhurat mendohet të arrijnë në 400 e 17.7 miliardë lekë, ose 30.7 mld lekë më shumë nga pritshmëritë e vitit 2015”, u përgjigj nga ana e tij Cani.

Në krahun e shpenzimeve, debatet më të mëdha ishin tek zëri i investimeve. “Investimet publike, të pushtetit qendror dhe vendor, do jenë 6 për qind e prodhimit të brendshëm bruto, ose 92 miliardë lekë”, saktësoi Cani.

“Në krahasim me faktet e vitit 2015, investimet publike ulen me 60 milionë dollarë më shumë. Pra, kemi një ulje në vlerë absolute, jo në rendiment. Në raport me PBB, investimet janë në minimumin historik. Vetëm viti 97 pati atë vëllim investimesh që do të ketë vitin që vjen”, replikoi Bode.

Buxheti i 2016 ka nivelin më të ulët të defiçitit buxhetor, prej 2.2 për qind e Prodhimit Kombëtar, çka bën të mundur që për herë të parë pas shumë vitesh rritje Shqipëria të ulë borxhin publik nga 72.6 për qind në 70.9 për qind të prodhimit kombëtar.

Top Channel