Odisea e pronave vazhdon, mazhoranca miraton draftin

23/11/2015 00:00

Vetëm me votat e mazhorancës, komisioni i ligjeve miratoi në parim projektligjin për trajtimin dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave.

Opozita deklaroi se drafti i qeverisë ka synimin e qeverisë për të ulur faturën financiare për ish pronarët dhe nuk zgjidh problemin.

“Me këtë ligj nuk po bëni gjë tjetër, veçse atë që ia morrët mos ia ktheni më kurrë. Sigurisht ky ligj nuk do t’i qëndrojë rotacionit politik. Ky ligj që e quani sot si një reformë të madhe do të fshihet me një të rënë të lapsit nesër dhe ju garantoj se sapo ne të vijmë në pushtet do ta kthejmë këtë ligj mbrapsht, sepse ky ligj cënon të drejta kushtetuese të fituara dhe nuk mundet që kjo qeveria t’ia marrë përsëri ato”, tha Oerd Bylykbashi.

Deputeti tjetër demokrat i kujtoi socialistëve se kanë vendosur në ligj të njëjtin parashikim ligjor që tentoi edhe qeveria e djathtë dikur, që ka të bëjë me rishikimin e vendimeve të dhënies së pronave. Halimi pranoi se kjo ishte bërë gabim nga qeveria e djathtë atëherë.

“Na dukej ne se zgjidhja ishte më e thjeshtë. E menduam gabim. Vajtëm në Gjykatën kushtetuese dhe e humbëm”, tha Eduard Halimi

Miratimi i ligjit në parim, morri edhe mbështetjen e LSI-së. Petrit Vasili tha se është për t’u përshëndetur synimi i ligjit për të zgjidhur përfundimisht ccështjen e pronës që po mban vendin në agoni.

“Kështu që në këtë bashkëfajtorësi, prapë figurative të të gjithë krahëve të poltiikës, dhe atyre që janë betuar e kanë rrahur gjoksin për të drejtat e pronarëve, por dhe kur kanë pasur pushtet në dorë nuk kanë dhënë gjë të drejt për drejtë, atëherë fundi i kësaj tragjikomedie është zgjidhjet të jenë përfundimtare”, tha  Vasili.

Top Channel