Saviano: ISIS? Mposhtet vetëm duke ndryshuar ekonominë globale

23/11/2015 17:15

A mund të dobësohet ISIS duke sulmuar strukturën financiare të tij, përmes të cilës stërvit rekrutët e tij dhe blen armatime? “JO”.

I këtij opinioni është shkrimtari dhe gazetari i njohur italian Roberto Saviano, i cili në një shkrim për New York Times jep mendimin e tij mbi organizatën terroriste, të cilës i atribuohen sulmet më të përgjakshme të viteve të fundit, përfshirë atë të 13 nëntorit në Paris.

“Jo, kjo nuk mund të bëhet pa një ndryshim rrënjësor të metodave se si bota qeveris ekonominë e saj. Sepse, ashtu si dhe shumë organizata kriminale, ISIS është rritur dhe fuqizuar duke shfrytëzuar kanalet përmes të cilave hyjnë kapitalet: droga, nafta, financimet private, apo nga kontrabanda e artefakteve. Të bllokosh asetet që mbushin arkat e ISIS do të thotë të rishikosh ekonominë e gjithë botës. Franca, sikurse Shtetet e Bashkuara më parë, po paguan një çmim shumë të lartë për mungesën e vëmendjes”, thotë Saviano.

Ai u sugjeron qeverive në mbarë botën që të rreshtin së toleruari organizatat kriminale, trafikun e drogës dhe pastrimin e parave.

“Të luftosh ISIS dhe ta mposhtësh atë do të thotë të luftosh një armik që është pranë shtëpisë, i strehuar në ekonomitë tona kombëtare. Nuk do të thotë të shkosh të luftosh luftën diku tjetër, sepse kjo do të çonte vetëm në përforcimin e ekstremistëve dhe grupeve radikale. Të luftosh ISIS do të thotë të ndryshojmë rregullat tona të brendshme”, vijon autori i bestsellerit “Gomorra”.

Prandaj, shton ai, nëse vërtet duam të gjejmë një mënyrë për të sulmuar ISIS, le të ndalojmë për një moment dhe të shohim se çfarë po ndodh me ekonominë globale.

Top Channel