Kosova shton masat e sigurisë, opozita: Mustafa po frikëson qytetarët

23/11/2015 00:00

Në rrugët e kryeqytetit të Kosovës janë shtuar patrullat policore, ndërsa nëpër vendet publike, policë të shumtë me uniformë dhe civilë patrullojnë dhe ndalojnë qytetarët e dyshuar për t’i kontrolluar.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka konfirmuar në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë shtimin e masave, për shkak të kërcënimeve të mundshme terroriste.

Mustafa ka deklaruar se, shtimi i masave të sigurisë po bëhet në koordinim me partnerët e Kosovës në fushën e sigurisë, si dhe me konkluzionet e Këshillit të Bashkimit Europian për hapat e luftës ndaj terrorizmit.

Në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë, Policia e Kosovës ka raportuar për shtimin e masave, ndërsa u ka bërë thirrje qytetarëve të rrisin vigjilencën dhe të shmangin kryesisht vendet publike shumë të frekuentuara.

Por, ky shtim i masave dhe paralajmërimi për mospjesëmarrje të qytetarëve në vende të frekuentuara nga partitë opozitare në Kosovë, po shihet si tendencë e kryeministrit Isa Mustafa për të frikësuar qytetarët për pjesëmarrje në protestën e 28 nëntorit.

“Qeveria është e interesuar, që manifestimi mbarëpopullor në sheshin ‘Zahir Pajaziti’ të dështojë dhe i paraprin kësaj, duke shfaqur kështu një shqetësim të vetin e jo të qytetarëve. E gjitha kjo shkon në disfavor të Qeverisë, gjë që ajo e di shumë mirë, dhe mundohet për të shantazhuar, për të ndaluar zërin e qytetarëve. Megjithatë, edhe në vendet e tjera, sa herë që është munduar të shtypet zëri i qytetarëve, aq herë e kanë pësuar qeveritarët”, tha Pal Lekaj, deputet i AAK-së.

Përfaqësuesit e opozitës u kanë bërë thirrje institucioneve të sigurisë, të kryejnë detyrat që u kanë ngarkuar në luftën kundër terrorizmit, ndërsa qytetarët t’i lejojnë të shprehin qëndrimet e tyre në protestë.

Top Channel