Ndryshimet kushtetuese për dekriminalizimin, PS-PD prononcim të përbashkët

23/11/2015 00:00

Për herë të dytë brenda pak ditësh, socialistët dhe demokratët votuan unanimisht për hapin tjetër, që siguron kushtetutshmërinë e procesit të dekriminalizimit. Mazhoranca dhe opozita miratuan në parim ndryshimet kushtetuese, që janë reduktuar në 4 nene, dhe që shumë shpejt do të diskutohen edhe nen për nen.

Oerd Bylykbashi dhe Taulant Balla, jo vetëm bënë një prononcim të përbashkët si asnjëherë tjetër, por edhe folën me të njëjtën gjuhë, kur theksuan domosdoshmërinë e kryerjes pa vonesë të procesit.

“Kemi miratuar disa gjëra mbi personat që kanë një vepër penale në CV-në e tyre dhe që nuk duhet të qëndrojnë në poste publike. Miratuam këtë paketë dhe diskutuam për nenet përkatëse, por duke qenë e nevojshme të vazhdohet diskutimi në aspektin teknik, me kontributin edhe të ndërkombëtarëve, komisioni vendosi ta shtyjë në një mbledhje të dytë përmbylljen e kësaj pakete. Më pas, do ta çojmë atë për miratim seancës plenare të Kuvendit të Shqipërisë. Unë besoj që, pavarësisht se është një tekst i shkurtër, ai kërkon një konsultim intensiv, që do të thotë se ne shumë shpejt do të kemi në Parlament këtë paketë për dekriminalizimin”, tha Oerd Bylykbashi.

“E njëjta frymë e ditës së premte gjatë diskutimeve për projektligjin, mbizotëroi edhe këtë të hënë në komisionin e posaçëm për draftin e ndryshimeve të nevojshme kushtetuese. Ramë dakord që ky proces të vazhdojë, sepse Kushtetuta dhe rregullorja e Kuvendit kanë rregulla strikte, që duhen respektuar një më një nga të gjithë anëtarët e këtij komisioni. Ligji duhet të miratohet, por ai ka bërë të domosdoshëm ndërhyrjen në Kushtetutë, për të hapur çelësat që ndryshojnë legjislacionin shqiptar për ata që përfaqësojnë interesin publik. Kushtetuta është një ligj që nuk ndryshohet brenda një nate. Unë vlerësoj shumë propozimin e bërë, e sigurisht që optimizmi është i madh që ky proces të bëhet sa më shpejt e të mos marrë shumë kohë”, tha Taulant Balla.

Deri në mbledhjen e ardhshme të komisionit, paketa e ndryshimeve kushtetuese për dekriminalizimin do të konsultohet me ekspertë kushtetues, që të paraqitet sipas teknikës së duhur legjislative. Derisa i gjithë procesi të përmbyllet, Taulant Balla bën një premtim në favor të konsensusit: Do të na shikoni më shpesh kështu.

Top Channel